Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të sigurojnë në mënyrë të shpejtë armë për Ukrainën.

Në një intervistë për “Bild”, Von der Leyen tha: “Nuk bëj dallime mes armëve të rënda dhe të lehta. Ukraina duhet të marrë pajisjet që ka nevojë për të mbrojtur veten “.

“Ajo që është e vlefshme për të gjitha vendet anëtare të BE-së është që të ofrojnë një furnizim të shpejtë të armëve nëse munden, për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj emergjente kundër Rusisë”, shtoi Von der Leyen.

Von der Leyen vuri në dukje paketën e gjashtë të sanksioneve që BE-ja është duke përgatitur ndaj Rusisë.

“Aktualisht jemi fokusuar në sektorin bankar, kryesisht “Sberbank” që përbën 37 për qind të sektorit bankar të Rusisë. Sigurisht që do të shqyrtohen edhe çështjet e energjisë”, tha Von der Leyen.

Ajo theksoi se duhet të bëhet çdo përpjekje që lufta të përfundojë sa më parë.

“Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të përgatitur edhe për situatën më të keqe, pasi lufta mund të zgjasë me muaj, madje edhe me vite”, tha presidentja e KE-së.