Raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të ri do të mbahet në 4 qershor. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupi të PS, Taulant Balla tha se afati i depozitimit të kandidaturave është ora 12:00 të shtunën. Ndërsa seanca në Kuvend do të mbahet në orën 18:00.

“Rendi i ditës së miratuar në fillim të kësaj mbledhje ka qenë caktimi i raundit të katërt për votimin e Presidentit të Republikës. Unë propozoj që raundi i katërt të zhvillohet ditën e shtunë, datë 4 qershor, ora 18:00.

Afati i depozitimit të kandidaturës të jetë data 4, ora 12:00 ndërsa afati i shqyrtimit të kandidaturës të jetë ora 16:00, data 4 qershor 2022”, tha Balla.

Më tej, Balla ftoi sërish opozitën që të përfshihen në procesin për zgjedhjen e presidentit. Edhe nëse kjo nuk ndodh, ai theksoi se nuk do ta lënë vendin pa president.

“Nëse ju keni këtë strategji është e juaja. Ta çoni vendin në zgjedhje të parakohshme. Ne vendin pa president nuk do ta lemë, ne do ta zgjedhim. Jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimet nëse doni të përfshiheni. Unë mendoja që keni vënë mend nga bojkoti, por po vazhduat me këtë histori vazhdoni. Ne presim nëse doni të përfshiheni gati jemi”, tha Balla.

Me ezaurimin e tre raundeve të para dështoi edhe mundësia për të zgjedhur një president konsensual. Presidenti i ardhshëm i pesë viteve duket se do të vijë nga votat e socialistëve në Kuvend.

Kujtojmë se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 presidenti zgjidhet në raundet e fundit vetëm me 71 vota, duke mos kërkuar kështu konsensus të detyruar.