Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid kritikoi ashpër sot homologun e tij rus Sergei Lavrov, i cili deklaroi se ”Hitleri kishte gjak hebre”, ndërkohë që thërriti edhe ambasadorin rus ”për sqarime”. Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, shteti hebre është përpjekur të ruajë një ekuilibër delikat midis Kievit dhe Moskës, por komentet e Lavrovit në një stacion televiziv italian, dje, shkaktuan zemërim. ”Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bën këtë argument: si mund të jetë i pranishëm nazizmi (në Ukrainë) nëse ai vetë është hebre”, tha Lavrov, fjalët e të cilit u transkriptuan në faqen e Ministrisë së Jashtme ruse. ”Mund të gaboj, por Hitleri kishte edhe gjak hebre”, shtoi Lavrov.

”Konsideratat e ministrit Lavrov janë në të njëjtën kohë skandaloze, të pafalshme dhe një gabim i tmerrshëm historik”, tha në një deklaratë të shkurtër për shtyp Yair Lapid.

Ai theksoi se ambasadori rus në Izrael ishte thërritur ”për sqarime”. Presidenti i ”Yad Vachem”, memoriali i Holokaustit të Izraelit, Dani Dayan, gjithashtu dënoi deklaratat e Lavrovit duke thënë se ato ishin “të pabaza, të gabuara dhe të rrezikshme, që meritojnë dënim”.

Në një fjalim në fund të marsit për anëtarët e zgjedhur të Parlamentit izraelit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Izraelit të bëjë një zgjedhje duke mbështetur Ukrainën kundër Rusisë dhe i kërkoi shtetit hebre që t’i sigurojë armë.

”Izraeli ka furnizuar veçanërisht me pajisje mbrojtëse Ukrainën, por kohët e fundit nuk e ka furnizuar vendin me armë”, thanë zyrtarët izraelitë.