Trajneri i Romës, José Mourinho ka dhënë një mesazh për shqiptarët, teksa tre ditë na ndajnë nga finalja e ligës së Konferencës që do të luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka shpërndarë në “Facebook”, videon e Mourinho ku në një konferencë për mediat hprehet se është kënaqësi dyfish për të: sepse është në finale dhe se do të vijë në Shqipëri, të cilin e quan një ndër të paktët vende në Europë ku nuk ka luajtur ende.
Ai u kërkon tifozëve shqiptarë të jenë në krah të skuadrës së Romës ku rreshtohet edhe lojtari shqiptar Marash Kumbulla, por nuk e zbulon nëse ai do të jetë pjesë e ekipit që do të zbresë në fushë.
Mourinho thekson se me apo pa Kumbullën në lojë, ai është e vetmja pikë lidhëse e Shqipërisë me finale.
“Finalja në Shqipëri për ne është kënaqësi, është kënaqësi për mua. Një kënaqësi dyfish. Kënaqësi që luaj në finale dhe kënaqësi që shkoj për herë të parë në një shtet të Europës ku nuk kam luajtur kurrë.
Kënaqësi sepse kam edhe ndonjë mik në Tiranë, një mik me rëndësi domethënëse në shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë si vend. Mendoj se vende si Shqipëria e meritojnë këtë mundësi.
Ajo që pres nga tifozët shqiptarë që me Kumbullën apo pa Kumbullën, ai është e vetmja pikë lidhëse e Shqipërisë me finalen aty, ata duhet të jenë nga kjo ana. Dhe natyrisht do të jetë bukur nëse Kumbulla ngre kupën”, shprehet ai.