“Ky parlament që sot ka nderin të mblidhet që t’ju dëgjojë ju, nuk shquhet për shpirtin e dakortësisë mes palëve. Janë shumë të rralla, në 30 vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja me gjithë mend dhe me gjithë zemër e rezistencës ukrainase kundër pushtuesve rus është një nga rastet edhe më të ralla ku të gjithë në kemi qenë dakord pa më të voglin diskutim”.

Kështu e nisi fjalën e tij në parlament ditën e sotme, Kryeministri Rama, duke iu përgjigjur Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski, i cili iu drejtua sot për herë të parë Kuvendit të Shqipërisë.

“Që prej orëve të para të agresionit në Ukrainë, jo vetëm ne, por e gjithë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar Kosovën jemi rreshtuar krah jush me zemër, me mendje dhe me çdo gjë kemi mundur.

Shqipëria është një vend shumë më i vogël se Ukraina, zoti President, mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë konkretisht janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj. Por ne kemi besuar që në fillim se nëse në aspektin e mbështetjes materiale, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus.

Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest” tha Rama, duke shtruar të gjitha mënyrat se si, megjithë pengesat që Shqipëria ka si një vend i vogël, po bën përpjekje të mëdha për të ngritur zërin në mbrojtje të Ukrainës.

Kryeministri Rama po ashtu shprehu empati dhe mirëkuptim ndaj popullit ukrainas, duke shpjeguar se lufta në Kosovë e bën të ndjeshëm edhe më shumë popullin shqiptar ndaj këtij konflikti në Ukrainë.

“Edhe pse mizorinë e kësaj luftë nuk mundet ta perceptojë sa dhe si duhet askush tjetër përvec popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelenski se historia jonë e afërt, kur gjysëm milioni shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri na ndihmon sidoqoftë, ta ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës.

Ndarja e nënave dhe fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, mobilizimi i vajzave që marrin armët për të rezistuar, qëndresa juaj e palëkundur, në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, të gjitha pamjet dhe dëshmitë e kësaj tragjedie të paimagjinueshme, deri në ditën e hyrjes së trupave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë përvecse sakrifica ekstreme dhe një shërbim i paçmuar që ju dhe vendi juaj po i bëni botës deri dje të përgjumur demokratike”, shtoi Kryeministri.

Rama e mbylli fjalën e tij, duke i dhënë zemër Presidentit Zelenski e shprehur shpresën e dëshirën që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë të afërta, jo për arsye të luftës, por për bashkëpunime në të ardhmen.
“I dashur miku ynë, Presidenti Zelenski. E kujtoj shpesh bisedon tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të behej vendi që Ukrainasit të kishin shtëpitë e dyta për pushime. Jemi kaq afër për të qenë kaq larg, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.

Të gjithë e dimë se tanimë kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu si cdo ditë që kalon me tmerret e reja e zgjat shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë besoj sinqerisht, zoti President se nëse sot në Shqipëri do të vijnë ukrainas që ikin nga lufta, nesër dëshira juaj që ata të vijnë këtu në shtëpitë e dyta, për të kaluar pushtimet, do të bëhen realitet.

Ju keni gjëra më të rëndësishme për të bërë i nderuar president. Ju shpreh në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve mbështetje. Zoti qoftë me ju dhe Ukrainën heroike!” përfundoi Kryeministri Rama.