Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka inspektuar sot pikën e grumbullimit të ndërtuar me fonde publike për të zgjeruar tregun për fermerët e Belshit, ku bujqësia përbën 70% të ekonomisë në vend.
Në hapësirën e dedikuar për produktet bujqësore, në një takim edhe me fermerët e zonës, ministrja tha se ky investim tregon një standard dhe një realitet të ri bujqësor në vend, i cili zhvillohet gjithmonë e më shumë.
“Kjo pikë grumbullimi është e para që hapet në këtë zonë dhe do të shërbejë si një treg i hapur për fermerët, duke iu dhënë atyre mundësinë që të të shesin produktin në kushte më të mira. Falë këtyre investimeve, i jepet edhe më shumë vlerë markës shqiptare, duke bërë që vendi ynë të njihet edhe për produktet e përpunuara”, tha Krifca.
Ministrja theksoi se, “që prej 2017 janë ndërtuar 240 pika grumbullimi me standarde ndërkombëtare, me kapacitete ruajtëse e frigoriferike, duke ruajtur produktin bujqësor për ta tregtuar me çmim më të mirë”.
“Qendra e grumbullimit e ngritur në Belsh do të mbështesë kryesisht produktet e serrave, vreshtarisë, ullishteve dhe bimët medicinale të cilat janë dhe prodhimet kryesore të zonës. Falë ngritjes së qendrës së grumbullimit tregu do të jetë më i aksesushëm për tregtarët dhe fermerët e bashkisë së Belshit dhe fshatrave përreth. Tashmë tregtarët dhe fermerët do të kenë një treg të sigurtë për produktet e tyre bujqësore”, u shpreh ajo.