Nga Dritan Hila

Asgjë ballkanike dhe intrigë orientale nuk ka në dënimin nongrata të Berishës, siç përpiqen ta tjerrin. Perandoritë kanë një llogjikë komplet tjetër nga ajo që kanë kombet e vegjël apo ata të shtypur historikisht. Kështu ka funksionuar në Romë, Kostandinopol apo Londër, dhe kështu funksionon edhe në Uashington. Nuk ka asgjë të stërholluar në arsyen amerikanë pse i është dhënë ky status. Nuk ka asnjë mendim të stërgjatur. Është thjesht një limon i shtrydhur dhe i kalbur i cili i bezdis me trazirat që shkakton.

A janë të shtyra këto veprime të Berishës ngase është i kapur nga dikush tjetër që e shtyn apo ka frikë se i prekin pasurinë e familjes, kjo pak rëndësi ka për amerikanët. Arsyetimi ka qenë linear:

“Kush është ky Berisha? Ai tipi që sa herë ka ndonjë problem në atë vendin me emër të çuditshëm bën trazira? Ai që detyrohemi të rishikojmë ekuilibrat në Ballkan. Qërrojeni! Është thjesht një leckë për ta hedhur. Për me tepër që qenka edhe hajdut. Por kjo edhe i falet.

Nuk është e moralshme pasi ka bërë ndonjë shërbim për ne?

E kujt i plasi?! Nëse nuk do të ishte ai, ishin me qindra të tjerë në rradhë për të na shërbyer. Ne e krijuam këtë tipin e ardhur nga hiçi, ne e varrosim.

Si e ka emrin një tjetër që është më i gjatë se Berisha, Edi? Është i bindur? Atëhere shumë mirë ky i fundit.

Berisha mund të krijojë trazira se ka ndjekës? Ndjekësit e tij janë ata që flasin atë gjuhën që e flasin vetëm 10 milion në botë? Dhe sa ndjekës paska ky, një mijë, dy mijë, njëqindmijë? Dhe me këta Ky tipi mund të krijojë trazira?!

Trazira krijon Putini në botë dhe ne po e shkrijmë; Serbia në Ballkan dhe po e zgjati e katandisim principatë, kurse në Tiranë mjafton një batalion me policë.

Derisa jemi lodhur ne nga ky bandit, të gjithë janë lodhur. Ndaj qërrojeni. Nëse nuk prish punë lereni të japë shfaqje në Tiranë. Por nëse e zgjat, do sillemi ndryshe.”

Kështu arsyetojnë perandoritë sado të ndriçuara të jenë.

Ndaj mos u lodhni me krahasime, me gjetje rastesh të ngjashme. Sali Berisha është thjesht një ushtar në tabelën e madhe të shahut botëror, i cili ka pasur rolet e tij që jo gjithmonë është e thënë të kenë qenë në përputhje me interesat e vendit. Por kur ka ngecur në shollën e këpucës, kur hiperfuqia e botës është e zënë në një ose disa fronte dhe dikush në prapavijë i shkakton probleme dhe i harxhon kohë, atëhere ky dikush është thjesht një gur që duhet hequr nga këpuca. Kaq e thjeshtë është.