Nga Kujtim Topuzi 

Që prej ditës kur Sali Berisha nisi luftën e tij për të sfiduar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e shpallën ‘non grata’, perandoria nga përtej Atlantikut ia bëri të qartë Partisë Demokratike se rreziku që ajo të shpallej organizatë e padëshiruar do të ishte shumë i madh nëse vendosnin ta kthenin ish liderin në krye, e më pas kandidat për kryeministër të një vendi aleat si Shqipëria. Këtë rrezik Berisha vijon ta materializojë në çdo lëvizje që bën.

Që prej ditë së parë të nisjes së aksionit të tij, që nga foltoret e deri te Kuvendi i 11 dhjetorit, Sali Berisha nisi t’i veshte lëvizjes së vet karakteristika të konservatorizmit, ideologji që ai e koncepton si mundësinë e vetme të joshjes të një pjesë të elektoratit në perëndim të historisë së tij politike.

Gjetja shpëtim në strehën e ekstremizmit në epilog të jetës së tij më shumë se 30 vjeçare politike është tregues se si ndihet ish-Kryeministri në këtë betejë për mbijetesë.

Organizimi i Kuvendit të djeshëm dhe fjalimi i Berishës kishin shumë tregues të rrugëtimit që i ka dhënë PD-së Berisha! Nuk kishte asnjë përfaqësues i Partive Popullore Evropiane, bashkimi i partive të qendrës së djathtë në Evropë në të cilën PD është anëtare prej vitesh. 4 ishin folësit e huaj në Kuvend, përfaqësues të partive konservatore dhe disa përfaqësues të partisë së ekstremit të djathtë si ajo e partisë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni, e cila njihet si një mbështetëse e fuqishme e Marine Le Pen, e cila ‘ngriu’ Evropën nga frika se mos fitonte zgjedhjet e para pak ditëve në Francë. Meloni edhe pse nuk ishte fizikisht në Kuvend iu drejtua demokratëve të Berishës me një letër përshëndetëse. Kuvendin e Berishës e përshëndeti edhe politikani nga Suedia Tobias Andersson, nga partia ‘Demokratët e Suedisë’, një tjetër forcë populiste.

Berisha në fjalën e tij dje në Kuvend, e përqendroi tek armiku që ia ka krijuar vetes, George Soros, të cilin e sheh si krijuesin e të gjitha ‘halleve’ të tij dhe te lufta për të ‘vendosur nderin në vend’ me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot ne jemi forcë sovrane konservatore, e cila jeton në të drejtën e idealeve konservatore të shqiptarëve, të cilën, edhe njëherë theksoj, as e majta e Soros, as e majta botërore, s’do të munden kurrë ta mposhtin. Jo dhe jo. Cilido që do bashkëpunim me ne, mbi bazën e vlerave, ne jemi të gatshëm. Ne qëndrojmë të vendosur në idealet dhe liritë tona”, iu drejtua Berisha 1425 delegatë të tij në sallë, duke mos e përmendur në asnjë moment qendrën e djathtë por duke ngulmuar mbi fjali konservatorizmi dhe sovranizmi.

Lëvizja e tij drejt ekstremit të djathtë nuk ka asnjë logjikë elektorale në Shqipëri. Shqiptarët janë karakterizuar si elektorat i anuar gjithmonë në shumicë nga e majta me nje tradita te forte kunder nazi-fashizmi dhe të djathtës i moderuar është dashur gjithmonë ta përshtasë veten për tu bërë fituese. Terreni për një të djathtë ekstreme, sovraniste dhe populiste, elektoralisht në vend ka shanse shumë të vogla që ta kalojë grushtin e votave të militantëve që Berishës që kanë treguar se do ta ndiqnin atë ‘të verbër’ në çdo betejë. Elektorati gri për të cilin Parti Demokratike ka nevojë për të rimarre pushtetin, në Shqipëri nuk gjendet brenda ekstremizmit të djathtë.

Por Berisha ia ka rezervuar vetes edhe një tjetër ‘as nën mëngë’. I braktisur nga 2/3 e grupit parlamentar të PD, i braktisur totalisht nga Perëndimi përvec organizatave ekstreme që ai aspiron t’i ketë shumë shpejt ‘simotra’, i vetmi sup ku PD ekstreme e Berishës po shikon të mbështetet është Ilir Meta dhe ‘populli i tij i 2 marsit’ (2 mars 2020) ditë kur Presidenti që po pret të bashkohet sa më shpejt me partinë e tij LSI, shpalli lëvizjen e tij të vet sovraniste anti SHBA. Aleanca e tyre është përforcuar dhe farkëtuar me çelik që kur aleati më i madh i shqiptarëve e shpalli ish-presidentin Sali Berisha ‘non grata’ dhe tashmë kanë mbetur aleatët e vetëm të njëri tjetrit në betejën me amerikanët.

Jo vetëm shpallja ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si i korruptuar dhe armik i demokracisë por tashmë Berisha ia shton vetës edhe një karakteristikë ‘non grata’ nga Perëndimi, atë të ekstremistit që rrezikon perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Lëvizjet ekstreme politike kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë në Evropë dhe kudo në botë. Kudo do të ketë njerëz që urrejnë, gjithmonë do të ekzistojnë, edhe pse fatmirësisht gjithnjë e më pak. Edhe Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga këta populistë, të të dyja ekstremeve, që përgjithësisht dalin si kërpudhat pas shiu në momente të vështira që kalojnë kombet. Ishte ‘Agimi i Artë’ në Greqi dhe të gjitha ia pamë fundin. Ka një parti AFD në Gjermani që fillimisht trembi, por gjermanet e braktisën shumë shpejt, duke e katandisur me 1 ulëse në Bundestag. Vetëm Le Pen në Francë shikohet sot si një rrezik real në Evropë, edhe pse humbja ndaj Macron 24 marsin e kaluar ‘shkriu gjakun’ në kancelaritë e perëndimit, duke e konsideruar si një fitore të madhe të të ardhmes së Bashkimit Evropiane.

E djathta ekstreme dekadën e fundit po shihet si një rrezik permanent i vlerave perëndimore, i paqes sociale, i barazisë së njerëzve, i demokracisë në botë, i globalizmit, i ekzistencës së vet aleancave më të mëdha të kombeve sot që përfaqësojnë ëndrrën e një bote të bashkuar të vlerat e humanizmit dhe të drejtave të njeriut. E djathta ekstreme rrezikon sot Bashkimin Evropian. Gjithnjë e më shumë zëra të njohur të analizës politike në kontinent po apelojnë që Evropa të përballet sa më parë me lëvizjen në rritje të ekstremit të djathtë.

Rruga që Berisha po i hap me mundim vetes përpara do të hasë jo thjesht me pengesa, por me humnerën e madhe mes reminishencave të errësirës së shekujve të kaluar dhe vlerave të mëdha të shoqërisë që bota kërkon të ndërtojë. /Shqiptarja.com/