Në javët e fundit, forcat ruse ngadalë kanë zgjeruar kontrollin e territorit në Donbas, duke goditur forcat mbrojtëse ukrainase me artileri dhe duke i shndërruar fshatrat dhe qytetet në gërmadha.

Ngecjet e ushtrisë ukrainase në lindje janë në kontrast me rrjedhën e luftës në javët e para pasi Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt. Në atë kohë, forcat e Kievit sulmuan vazhdimisht forcat ruse dhe i larguan nga kryeqyteti dhe qytetet e tjera kyçe, duke shkatërruar tanket ruse armë kundër mjeteve të blinduara.

Që atëherë, Rusia ka përqendruar forcat e saj në lindje në një luftë me artileri të shkallës së gjerë që ngjason me betejat e Luftës së Dytë Botërore. Ekspertët thanë se Moska shpreson të përfitojë nga avantazhi që ka sa i përket numrit më të madh të ushtarëve dhe armëve, diçka që është e dukshme, pasi forcat e Moskës i kanë bombarduar pa ndalur forcat ukrainase në Donbas në ditët e fundit.

Tani Perëndimi po ndërmerr hapa për të armatosur Ukrainën për një realitet të ri të luftës para se të jetë vonë. Më 1 qershor administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi për pakon e re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që përfshin sisteme të fuqishme raketore me lëvizshmëri të lartë, apo HIMARS, që janë të afta për t’i shkatërruar forcat armike nga distanca të largëta.

Duke e krahasuar luftën me artileri në Donbas me dy boksierë brenda një ringu, një zyrtar i NATO-s, që foli në kushte anonimiteti, tha më 30 maj se rezultati do të varet nga “kush ka më shumë municione artilerie, kush ka më shumë raketa, kush ka më shumë njerëz që realisht mund t’i dërgojnë në beteja për të luftuar”.

Me Rusinë që është afër marrjes së plotë të Luhanskut, një prej dy provincave që e përbëjnë Donbasin, Perëndimi po shpreson të ndryshojë rrjedhën e luftimeve. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vënë prioritet kryesor marrjen e Donbasit.

Sipas Shteteve të Bashkuara, Rusia aktualisht ka afër 110 grupe të batalioneve taktike (BTG) në Ukrainë. Çdo grup ka gjashtë deri në tetë pjesë të artilerisë sikurse obusë apo raketahedhës, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, një kolonel në pension i marinës amerikane, që aktualisht shërben si këshilltar në Qendrën për Strategji dhe Studime Ndërkombëtare në Uashington, që sipas këtij vlerësimi, i bie që në total afërisht shumica e 900 grupeve janë të përqendruara në Donbas.

Wesley Clark, që ka qenë komandant i NATO-s në Evropë në periudhën 1997-2000, paralajmëroi javën e kaluar se forcat ukrainase kanë mungesë të artilerisë për të luftuar në mënyrë efektive dhe se ndihma ushtarake perëndimore deri më tani ishte “e pamjaftueshme”për t’i dëbuar nga shteti forcat ruse.

“Ukraina duhet të përforcohet edhe më tej. Ka kapacitete luftuese dhe vendosmëri për t’i dëbuar rusët, por nuk ka mjete”, tha ai gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë më 27 maj.

“Kjo është një luftë që mund të humbet”, shtoi ai.

Industria ushtarake e Ukrainës është gjymtuar pjesërisht nga sulmet me raketa, qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë, duke minuar aftësitë e saj mbrojtëse.

Dhe, ushtria ukrainase po ashtu ka mungesë të municionit për artilerinë e saj, që është e modelit sovjetik, përfshirë edhe obusët 152-milimetërsh, gjë që minon aftësinë e saj për të shkatërruar armët ruse.