Gjigandi energjetik i kontrolluar nga shteti rus, Gazprom tha se furnizimi i tij me gaz në Evropë përmes Ukrainës nëpërmjet pikës hyrëse Sudzha ra në 41.4 milionë metra kub më 18 qershor, nga 41.9 sa ishte një ditë më parë.

Kërkesa për furnizim me gaz përmes një tjetër pike hyrëse kryesore, Sokhranovka, u refuzua nga Ukraina, u tha gazetarëve zëdhënësi i Gazprom, Sergey Kupriyanov.

Gazprom, më 15 qershor, ndërpreu dërgesat e gazit natyror në Gjermani pasi tha se Siemens i Gjermanisë kishte vonuar punën e riparimit të njësive të kompresorëve në një stacion në tubacionin Nord Stream 1.

Berlini e kritikoi këtë masë si një “politike” dhe një pretekst për të mbjellë pasiguri dhe për të rritur çmimet.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, e quajti këtë veprim një “vendim politik dhe jo një zgjidhje teknikisht të justifikueshme”.

Edhe gjiganti italian i energjisë Eni raportoi probleme, duke thënë më 16 qershor se do të marrë vetëm 65 për qind të gazit të kërkuar nga Gazprom.

Mungesa përkoi me një vizitë në Ukrainë nga krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë.

Udhëheqësit u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Kiev dhe më pas mbështetën statusin “e menjëhershëm” të kandidatit në BE për Ukrainën.

Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën më 17 qershor./REL