Kompania ruse e energjisë ”Gazprom” filloi reduktimin e vëllimit të gazit që furnizon Gjermaninë nëpërmjet gazsjellësit ”Nord Stream 1”, në 67 milionë metra kub.

Reduktimi i mëtejshëm i furnizimit me gaz erdhi pasi kompania njoftoi se do të reduktonte volumin maksimal të dërgesës në 100 milionë metra kub gaz në ditë, nga 167 milionë metra kub.

Në përgjithësi, shkurtimi i fundit përfaqëson një reduktim afërsisht 60% në furnizimet me gaz në Gjermani në vetëm dy ditë.

”Siemens Energy” tha të martën se një nga turbinat e gazit ”Nord Stream 1” që i ishte nënshtruar së fundmi riparimeve në Kanada nuk mund të kthehej aktualisht nga Montreali për shkak të sanksioneve kundër Rusisë.

Gazsjellësi ”Nord Stream 1” është gazsjellësi kryesor gjerman për marrjen e gazit rus.

”Gazprom”, i cili është në pronësi të shumicës së shtetit rus, përmendi vonesat e shkaktuara nga riparimi i njësisë së kompresorit të gazit si arsye për uljen e vëllimeve të furnizimit me gaz, megjithëse Agjencia Federale e Rrjetit Gjerman e kundërshtoi ankesën.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck akuzoi Rusinë se po përpiqet të krijojë shqetësim dhe të rrisë çmimet e gazit me këtë lëvizje, duke shtuar se ”është ende e mundur të gjesh furnizime alternative me gaz në treg, megjithëse me një çmim të lartë”.