Ish zv.ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka ka hapur sesionin e radhës të Konferencës Kombëtare “Anti-korrupsion” e cila sot mban ditën e dytë të punimeve.

Në fjalën e saj, ekspertja e çështjeve të Integrimit dhe Drejtësisë nënvizoi se korrupsioni është një nga pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik të një vendi, duke prekur drejtpërdrejtë mënyrën se si administrohet buxheti i shtetit, shkurajohen investimet, dëmtohet konkurrenca e lirë dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

“Korrupsioni devijon përdorimin e të ardhurave publike, nga e mira e përbashkët, drejt përfitimit të ngushtë dhe vetjak të zyrtarëve publik, duke hartuar politika që shpërndajnë burimet në shërbim të të paktëve e jo të të shumtëve, çka rrit pabarazinë ekonomike dhe shton varfërinë. Ai nënvlerëson forcën e ligjit, nëpërkëmb barazinë dhe drejtësinë e proceseve vendimmarrëse. Kësisoj ai prek themelet e shtetit të së drejtës dhe sigurinë e një shteti”, tha Caka duke theksuar se:

“Korrupsioni nuk është vetëm një problem ekonomik, mirëqeverisjeje, eficencë apo sigurie. Ai është mbi të gjitha një sjellje, një ndërveprim social dhe si i tille prek drejtpërdrejtë individin. I prek atij mundësinë për një vlerësim më të mirë në shkollë, gjetjen e një pune, te pasurit te një biznesi më të suksesshëm, apo një shërbimi shëndetësor funksional”, nënvizoi Fjoralba Caka.

Më tej ajo ka hequr një paralele mes korrupsionit dhe qasjes së qytetarëve për denoncimin e tij.

“Qytetarët dhe biznesi i ndershëm, qysh në përpjekjet e tyre për një jetë më të mirë përplasen me korrupsionin, janë në gjendje për të identifikuar mënyrën se si ndodh korrupsioni, format me të cilat shfaqet, kanalet e komunikimit, etj. Megjithatë, edhe pse qytetarët drejtpërdrejtë apo indirekt janë në kontakt me korrupsionin, shpesh herë ata zgjedhin të heshtin apo të konformohen me te. Ata fillojnë ta konsiderojnë normale abuzimin e zyrtarit me funksionin publik apo ngrenë struktura mendore si “ asgjë nuk ndryshon” apo “kështu bëjnë të gjithë”, çka paralizon reagimin qytetar dhe i servir korrupsionit më shumë hapësira për abuzim”, u shpreh pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

“Në këtë pikë, teknologjia mund të përdoret për të nxitur qytetarët/bizneset të dalin nga qasja apatike dhe e izoluar e përballjes së korrupsionit. Ajo ka potencialin të krijojë një vend më të sigurt raportimi, pa kosto financiare apo udhëtimi, lehtësisht të aksesueshme ne çdo kohe e cila mund të shërbejë për të raportuar sjelljet abuzive apo për të ndarë përvojat e përballjes së qytetarit me një zyrtar të korruptuar dhe për t’u ankuar për një trajtim të padrejtë dhe pa barabartë”, shprehet Caka duke vijuar se:

“Platformat e denoncimit apo paraqitjes së ankesave online i thërrasin vlerës së individualitetit: Individualitetit si vetëdije se dinjiteti dhe të drejtat natyrore të pronës, trajtimit të barabartë, lirisë nuk mund të shtypen në mënyrë arbitrare.
Individualitetit si shprehje e autonomisë, për të konkurruar dhe patur sukses, Individualitetitit si forcë për t’i rezistuar presionit të padrejtë dhe deshirës për meritokraci dhe vetrealizim”, tha Caka.

Ndërkohë ajo shtoi se:

“Është e vërtetë që për shkak të ngjarjeve historike raporti ynë individ-shtet ka pësuar deformime; ku qytetari apo edhe biznesi i ndershëm intimidohet para burokracisë dhe arrogancës së zyrtarëve abuziv duke i toleruar ato si shprehje normale. Megjithatë, ka ardhur gjithashtu koha që qytetari/biznesi shqiptar të reflektojë zhvillimet aktuale të teknologjisë për të sfiduar korrupsionin dhe aktet e padrejta”, përfundoi ndër të tjera Caka.