Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se këtë sezon veror do të marrin fund radhët e gjatë në kufijtë Kosovë-Shqipëri, pasi nuk do të ketë më kontrolle një për një të automjeteve.
Në fjalën e tij, Rama iu drejtua dy ministrave të Brendshëm të dy qeverive, duke iu kujtuar protokollin e firmosur në prill të vitit 2019, që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit.
“Dua të them disa shifra që besoj janë domethënëse. Kur ne kemi nisur punën më nga afër e më intensivisht me qeveritë e Kosovës, kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 milionë euro, sot ky volum për vitin që lamë pas është 433 milionë euro. Kemi hyrë në zonën, ku shifrat marrin seriozisht, në krahasim me shifrën qesharake të fillimit, ndërkohë që vite të tëra ishin harxhuar në këtë drejtim. E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1225 subjekte biznesi nga Kosova, 1081 prej të cilave janë në pronësi 100% e subjekteve të këtushme, ndërkohë që 145 të tjera janë pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri. Investimet e Kosovës në Shqipëri, më 2917, 9 milionë euro, më 2021, 139 milionë euro. Besoj se është një shifër shumë domethënëse.
E fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në Librazhd, në vlerën më të lartë historike. Ka qenë 16 milionëshi i 2018, ndërkohë që jemi në 41 në vitin 2021. Një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm. Besoj se kemi gjithë mundësinë ta intensifikojmë e shtojmë volumin e investimeve. Dua t’u kujtoj ministrave të Brendshëm këtu që kemi një protokoll të nënshkruar në prill 2019, që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit. Kryeministri është dakord me mua që në këtë sezon është e palejueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi më probleme të natyrës që kishim deri vjet, dhe radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave, që vijnë drejt Shqipërisë”, tha Rama.