Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohej për marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për spitalet, foli për raportet ndërkombëtare që tregojnë me fakte se si e ka përballuar pandeminë Shqipëria.
“Sipas llogaritjeve të studimit të fundit të disa universiteteve prestigjioze, siç shihet, fatalitetet shtesë për vitet 2020-2021 për 100 mijë banorë janë: 441 fatalitete/ 100 mijë banorë për Shqipërinë; 827 fatalitete/ 100 mijë banorë për Bullgarinë; 737 fatalitete/ 100 mijë banorë për Maqedoninë e Veriut; 637 fatalitete/ 100 mijë banorë për Serbinë”, tha Manastirliu duke renditur dhe vendet e rajonit të marra në përllogaritje, duke filluar nga Bosnje-Hercegovina, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Lituania, Sllovakia, që kanë vdekshmëri shtesë më të lartë se Shqipëria.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Manastirliu tha se Shqipëria është një vend që pandeminë e ka përballuar duke mos u gjunjëzuar, falë profesionistëve të saj të shëndetit dhe investimeve të kryera.
“Kemi rritur kapacitetet testuese. Kemi rritur kapacitetet diagnostikuese në të gjithë spitalet e vendit, duke përmirësuar 100% flotën e imazherisë në spitalet tona. Kemi forcuar kapacitetet e terapisë intensive duke dyfishuar të gjitha pajisjet në reanimacione. Kemi rritur kapacitetet e shërbimit të Urgjencës Kombëtare ku vetëm gjatë pandemisë janë 60 autoambulanca të reja të vëna në dispozicion të Urgjencës Kombëtare. Siguruam barnat dhe materialet mjekësore në kohë rekord për të trajtuar pacientët në spitale me terapitë më të mira të mjekimit. Siguruam materialet e mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët tanë. Siguruam për mjekët infermierët, punonjësit e shërbimeve me më shumë se 3900 personel të shëndetësisë, bonuset 1000 euro dhe 500 euro përgjatë gjithë periudhës së pandemisë” tha Manastirliu, duke shtuar se Shqipëria filloi proçesin e vaksinimit para shumë vendeve të rajonit.
Duke folur për ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë për spitalet, Manastirliu tha se ky financim do të thellojë transformimin e shëndetësisë.
“Një marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që synon të mbështesë investimet në sektorin e shëndetësisë në kuadër të një projekti që tashmë po e zhvillojmë në një fazë të dytë me Bankën Botërore, duke marrë këtë financim shtesë prej 25 milionë euro për investimet në shëndetësi”, tha Manastirliu.
Financimi shtesë për projektin e përmirësimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri do të sigurojë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe përmirësim të mëtejshëm të ofrimit të shërbimit të kujdesit spitalor në vend, përmes mbështetjes së financimit të pesë spitaleve dhe investimeve për digjitalizimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor.