Deri në fund të qershorit sektori i peshkimit do të ketë mundësinë të përfitojë nga grantet e dhëna në kuadër të projektit “Support to Fishery Sector in Albania” nën IPA 2016 për këtë kategori. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në një takim me përfaqësues të këtij sektori.
Ministrja tha se ky takim shpall një fond të ri mbështetjeje për sektorin e peshkimit i cili është një sektor jetik.
“Skema ka ofruar në fazën e parë dhe të dytë grante në masën e rreth 700 mijë Euro dhe me këtë fazë të tretë do të ndihmojë investimet e peshkatarëve edhe me 720 mijë Euro të tjera”, tha ministrja Frida Krifca.
Me anë të granteve specifike, projekti do të ndihmojë sektorin Shqiptar të peshkimit për të realizuar investime për lundrimin dhe sigurinë, pajisjet radio-satelitore, pajisjet që forcojnë sigurinë e ushqimit, dhomat frigoriferike, rrjetat e peshkimit, pajisjet për reduktimin e ndotjes mjedisore si dhe grante për pajisje motorrike.
“Ne kërkojmë që me anë të kësaj mbështetje financiare të mundësojmë rritjen e sigurisë së peshkatarëve në bordin e anijeve të peshkimit gjatë lundrimit, përmirësimin e performancës ekonomike të ndërmarrjeve të peshkimit duke miratuar masa që synojnë kursimin e energjisë, si dhe zvogëlimin i ndikimeve negative në mjedis lidhur me ndotjen e ujit dhe mbrojtjen e stokut, shtoi Krifca.
Ministrja tha se rritja e sektorit duhet të jetë jo vetëm e qëndrueshme në pikëpamjen ekonomike dhe mjedisore, por edhe e mirë shpërndarë nga ana gjeografike duke marrë kështu në konsideratë edhe efektet pozitive që ka sektori në punësim me anë të shërbimeve mbështetëse për këtë industri.
Përfaqësuesit e delegacionit të Bashkimit Europian shprehën vlerësimin për rëndësinë ekonomike dhe mjedisore të peshkimin në Shqipëri si dhe ritheksuan angazhimin për të mbështetur zhvillimin e tij në vendin tonë.
Në këtë thirrje mund të aplikojnë si pronarë individualë të anijeve të peshkimit ashtu dhe kompanitë. Gjithashtu thirrja është e hapur për të aplikuar dhe më shumë se një herë. Masa e mbështetjes për subjekt është minimalisht 2500 euro dhe maksimalisht 60 mijë euro.