Të gjithë të punësuarit në vend që kanë pagë mujore bruto prej 100 mijë lekësh, do të plotësojnë deklaratën e të ardhurave individuale (DIVA). Ky ndryshim ligjor është propozuar në draftin e ri të Tatimit mbi të ardhurat që është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave. Aktualisht të gjithë qytetarët që sigurojnë mbi 2 milionë lekë të ardhura vjetore nga punësimi janë të detyruar të dorëzojnë pranë organeve tatimore deklaratën e të ardhurave, ndërsa propozimi i bërë nga Ministria e Financave e ul këtë prag dhe përcakton detyrimin që të gjithë qytetarët që kanë të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë, do të duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA-n.
“Një person është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij/saj janë: a. Më shumë se 1,200,000 lekë e të ardhurave bruto nga punësimi, ose b. Më shumë se 50,000 lekë e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim”, thuhet në projektligjin që po konsultohet. Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, dhe me këtë ndryshim ligjor pritet të shtohet numri i qytetarëve që e kanë detyrim plotësimin e deklaratës. Qytetarët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë, nuk do të kenë kosto shtesë për të paguar, në momentin e plotësimit të DIVA-s, pasi detyrimet tatimore i kanë shlyer gjatë vitit.
Vetëm këtë vit e kishin detyrimin të dorëzonin deklaratën e të ardhurave individuale 13.521 të punësuar me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë që konsiderohen edhe milionerët e vegjël, si dhe 68,657 individë të dy-punësuar. Sipas tatimeve deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij. Zgjerimi i numrit të subjekteve që duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë DIVA-n krijon edhe një regjistër më të madh mbi pasurinë e qytetarëve.