Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me performacën më të lartë në vitet e fundit, duke u transformuar nga bujqësi e mbijetesës në bujqësinë e sipërmarrjes
Të dhënat tregojnë se në 8 vitet e fundit është rritur ndjeshëm sipërfaqja e tokës së punuar. Nëse në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, sot punohet afro 250 mijë ha tokë.
Skemat mbështetëse që ka dhënë qeveria janë drejtuar në rritjen e cilësisë së produkteve bujqësore, fara dhe fidanë por edhe në shtimin e pikave të grumbullimit, ku produktet që prodhojnë fermerët kanë më shumë mundësi për të shkuar në tregje të tjera ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Ram publikoi sot pamje nga plantacionet me ullinj e vreshta në Roshnik të Beratit.
Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë në 400 milionë dollarë. Qeveria parashikon që eksportet do shkojnë në mbi 1 miliardë në katër vitet e ardhshme.
“Kënaqësi të shohësh në Roshnik të Beratit këto plantacione me ullinj e vreshta, varietete shqiptare në një peizazh të qëndisur nga dora e njeriut, dëshmi e punës së palodhur të njerëzve në fshat, që jo vetëm zhvillojnë ekonominë e familjes së tyre, por na bëjnë krenarë me produktet “Made in Albania” që tashmë po zënë vend edhe në tregun e huaj”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.