Polonia do të kërkojë një prani të shtuar të NATO-s në vend përballë pushtimit rus të Ukrainës, tha ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Në një intervistë me gazetën ”Polska The Times”, Blaszczak tha se ”samiti i ardhshëm i NATO-s në Madrid do të ketë një rëndësi të veçantë sepse agresioni rus kundër Ukrainës rimodeloi përgjithmonë sistemin global të sigurisë”.
Blaszczak, pozicioni i të cilit në skenën politike të Polonisë është forcuar me një promovim të kohëve të fundit në një rol zëvendëskryeministri, tha se konflikti në Ukrainë duhet të bindë skeptikët që të rivlerësojnë qëndrimin e tyre.
“Unë mund të konfirmoj se ne po kërkojmë vendosjen e një brigade në Poloni, brenda strukturave të NATO-s”, tha ai.
Pavarësisht nga vendimet e NATO-s, Polonia ka rritur potencialin e saj të mbrojtjes me një numër blerjesh armatimesh dhe rritje të numrit të trupave deri në 250 000 nga pak më shumë se 110 000 që është aktualisht. Polonia ka miratuar së fundmi një ligj që do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes si pjesë e PBB-së së vendit në tre për qind nga niveli dy për qind i rekomanduar nga NATO-ja.