Qeveria e Kosovës ka reaguar pas zhvendosjes së Sunny Hill Festival nga Kosova për në Shqipëri. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lëshuar një sqarim për media në lidhje me dhënien e 17 hektarëve të pronës komunale për festivalin.
Ministria që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi ka pasur një arsyetim krejtësisht banal.
Pasi Tirana ia mori Prishtinës Sunny Hillin, Erion Veliaj flet për Nacionale
“Kërkuam dokumente shtësë”, ishte sqarimi që lëshoi MAPL.
“Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhej në njoftim.
Për më shumë, MAPL e ka cilësuar lëndën e Sunny Hill, që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtarës së famshme Dua Lipa, si të pakompletuar.
“Anipse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”, thuhet tutje në reagimin e Qeverisë Kurti.
Por, organizatori i Sunny Hill, Albert Kastrati, ka reaguar pas kësaj komunikate për media të MAPL, duke thënë se festivali nuk ka kërkuar tokë.
“MAPL-se i kemi propozu mos me na dhanë as tokë as kurgjo, veç me e bo ajo vet një hapësire dinjitoze për festivale, e na veç me marrë leje për organizim të festivalit. Kjo, meqë propozimi qe na me investu 7M në hapësire publike e me e lënë të hapur si PARK PUBLIK gjatë gjithë vitit për krejt qytetarët, nuk është pëlqye si propozim. Ne fakt, është kundërshtu zëshëm. Ende jemi në pritje të përgjigje”, ka shkruar Kastrati.
E për zhvendosjen e Sunny Hillit, ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtnë, asamblistët e së cilës kanë qenë të zëshëm kundër dhënies së 17 hektarëve për festivalin.
Në një postim në Facebook, Qendra e VV-së në Prishtinë e ka quajtur “lajm jo të mirë” ikjen e Sunny Hillit.
“Nga fillimi, ne si grup, i kemi ngritur shqetësimet dhe brengat tona, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, në lidhje me dokumentacionin e pakompletuar dhe marrëveshjen e dëmshme të negociuar nga Kryetari Përparim Rama. Kërkesat tona në raport me marrëveshjen e negociuar kanë qenë që prona të mos jepet për 99 vite por për një periudhë 15-20 vite dhe që kjo hapësirë të mund të shfrytëzohet edhe për koncerte tjera që nuk janë të karakterit të njëjtë si Sunny Hill, si dhe të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe plotësimi i dokumentacionit konform kërkesave ligjore”, thuhej në reagimin e LVV në Prishtinë.
Kujtojmë që tashmë është zyrtare që Sunny Hill Festival do të organizohet në Tiranë.
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, në një prononcim për Nacionalen, theksoi se mbajtja e festivalit është një prestigj i jashtëzakonshëm për kryeqytetin shqiptar.
“Por, Tirana i përket dhe gjithë prishtinalive e krejt Kosovës, ndaj siç kemi festuar gjithmonë bashkë, do të festojmë dhe kësaj here. Për ne është padyshim një prestigj i jashtëzakonshëm qe në këtë vit të rëndësishëm për Kryeqytetin të mirëpresim Sunny Hill Festvial në Tiranë e bashkë me të, te presim dhe mijëra miq, vëllezër e motra nga Kosova”, shtoi Veliaj.
Ndryshe, siç ka shkruar Nacionale, një mbledhje që u mbajt javën e kaluar e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti – e ku po merrte pjesë Përparim Rama dhe disa ministra – e varrosi ëndrrën e qindra mijëra të rinjve për organizimin e Sunny Hillit në Prishtinë.