Kryeministri Edi Rama i është përgjigjyr deputetes së PD, Jorida Tabaku duke e pyetur ku i ka gjetur shifrat e INSTAT pasi në ato që mban përpara vetë ai, rezulton se në Shqipëri është niveli i inflacionit më i ulët se në vendet e tjera të rajonit. Për këtë përmendi dy arsye, si çmimi i energjisë deri tek rritja e prodhimit vendas. Inflacioni në maj arriti rekord ne 6.7%, nga 6.2% që ishte në Prill.
“Jam shumë dakord me ju zonja Tabaku, është shumë e rëndësishme dhe e dobishme që të flasim për jetën e përditshme të njerëzve dhe duke qenë se unë nuk kam shkollë dhe ju jeni me shkollë, nuk po hyj se nuk hyj dot tek debati juaj me ministren e financave për stagflacionin. Duke qenë se ju flisni me shifra, do isha shumë mirënjohës nëse do të më orientoni ku i keni gjetur shifrat e INSTAT se unë i kam përpara. Sipas INSTAT, inflacioni në Shqipëri është rritur 6.2% në prill, në Serbi 6.6, në Maqedoninë e Veriut 10%, në Kosovë 11.2%, në Mal të Zi 11.2%.
A ka ndonjë asye që Shqipëria të jetë thuajse sa gjysma e vendeve të rajonit? Mbase ka më shumë arsye se ato që duke u përpjekur të mësoj, mund të them këtu por së paku janë 2 arsye të rëndësishme, e para fakti që vetëm në Shqipëri si askund tjetër në rajon dhe Europë, çmimi i energjisë mbahet aty ku ishte para se të shfaqeshin simptomat e krizës. Kudo tjetër energjia po bën reprezalje mbi ekonomi dhe sot nafta është patjetër komponent, por energjia për të cilën ne vazhdojmë paguajmë nga buxheti i shtetit është arsyeja pse kemi këtë normë inflacioni.
E dyta, rritja e prodhimit vendas se nuk e kemi importuar të gjithë masën e normës së inflacionit nga vendet e tjera edhe për shkak të zëvendësimit. Dje solla shifër konkrete në samit dhe po e përsëris, vetëm për eksportet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut kemi rritje shumë domethënëse, thuajse dyfish në aspektin e fondeve”, tha Rama.