Kryeministri Rama ishte sot në Kosovë për mblehdjen e përbashkët mes dy qeverive, ku foli për bashkëpunimin e frytshëm që po zhvillohet dhe forcohet mes dy vendeve.

Rama u ndal tek shifrat, që sipas tij janë domethënëse.

“Kur kemi nisur punën më nga afër me qeverinë e Kosovës, kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare, 160 milionë euro, sot volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin që lamë pas është 433 milionë euro. Kemi hyrë në zonën ku shifrat marrin një lloj serioziteti” deklaroi Kryeministri.

Më tej ai sqaroi se edhe numri i bizneseve nën pronësi të shqiptarëve të Kosovës janë rritur dhe se investimet tashmë janë 15-fishuar.

“E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1225 subjekte biznesi nga Kosova, 1081 prej të cilave janë pronësi 100% e subjekteve të këtushme, ndërsa 145 të tjera janë pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri.

Në vitin 2017 investimet e Kosovës në Shqipëri ishin 9 milionë euro, në 2021 janë 139 milionë euro, besoj është një shifër shumë domethënëse,” tha Rama duke shtuar se fluksi i investimeve është rritur shumë vitet e fundit.

“E fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike, ka qenë 16 milionë në 2018, ndërkohë që jemi në 41 milionë në 2021, tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm,” shtoi Kryeministri.

Duke shtuar se pret që investimet të vijojnë të shtohen, Rama theksoi se pret të forcohet bashkëpunimi në kufi për të lehtësuar kalimin e qytetarëve nga të dy vendet.

“Besoj se kemi të gjithë mundësinë ta intesifikojmë dhe ta shtojmë volumin e investimeve reciprokisht.

Ndërkohë që dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm, që kemi një protokoll të nënshkruar në prill të 2018, në Morinë që shërben si udhëzues i qartë për kalimin praktik të kufirit.

Besoj që Kryeministri është dakord me mua, që në këtë sezon është e pajustifikueshme dhe e palejueshme që të kemi më probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet apo vitet e tjera dhe radha të pafundme të kontrolleve për makinat që vijnë drejt Shqipërisë” theksoi Kryeministri Rama në fjalën e tij.

Më tej Rama foli për Portin e Durrësit dhe Portin e Thatë në Prishtinë, që përbën një projekt me rëndësi strategjike dhe që ka të integruar hekurudhën Durrës-Prishtinë, si dhe për zbatimin e angazhimit të të dy Akademive për enciklopedinë shqiptare dhe për abetaren e unifikuar.