Marrëveshja për Energjinë Elektrike në Bruksel e arritur këtë të martë mes Kosovës dhe Serbisë, respektivisht mes Bisnik Bislimit si kryenegociator i Kosovës dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviç, është, siç ka njoftuar edhe vetë zëvendëskryeministri, pikë e presje siç ishte ajo në 2013 dhe në 2015.
Por, në kohën kur ishte arritur ky dakordësim që tani u zyrtarizua me marrëveshje nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar ashpër.
“Kjo marrëveshje po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”, kishte shkruar Lëvizja Vetëvendosje në komunikatë zyrtare për media.
Njoftimin për arritjen e marrëveshjes fillimisht e ka bërë i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, ka lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Marrëveshja e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët përmes BE-së”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.
Në anën tjetër Elektrosever bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda dhjetë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen për detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen për kyçje me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, mirëmbajtja e arkëtimit dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në komunat e katërt veriore me shumicë serbe.
“15 ditë nga marrëveshje dhe teknikalitetet e marrëveshjes me KOSTT-in, do t marrë edhe Kodin e Identifikimit të Energjisë për të kryer aktivitetet e parapa me licencën e furnizimit”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.
Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim KEDS dhe KOSTT do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.