Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim senatorin italian, ish kryetarin e Bashkisë së Pescara-s, Luciano D’Alfonso, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historitë e suksesit mes dy shteteve. Veliaj e falenderoi senatorin D’Alfonso për mbështetjen që i ka dhënë komunitetit shqiptar në Itali.
“D’Alfonso është mik, vëlla, një italo-shqiptar – duke qenë se është edhe shtetas shqiptar – dhe një senator me reputacion të jashtëzakonshëm në Itali, ambasador ‘de fakto’ mes Shqipërisë dhe Italisë. Ju jam shumë mirënjohës që, një italo-shqiptar si ju, është edhe një avokat shumë i zellshëm i kauzave të përbashkëta. Si në çdo fushë, nëse dikush nuk të hap derën, nëse dikush nuk të jep një shtysë, nëse nuk të inkurajon të ecësh përpara, sigurisht suksesi bëhet më i vështirë. Por, diplomacia mes njerëzve, një derë e hapur nga dikush me reputacion, i cili krijon mundësi për të tjerët, është një bekim i madh për ne”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se është me rëndësi që të forcohen akoma më shumë urat e bashkëpunimit edhe me senatin italian.
“Mezi pres që t’i forcojmë urat e bashkëpunimit, jo vetëm mes qyteteve tona, me Chiet-in, me Pescara-n dhe shumë prej qyteteve të rëndësishme të Abruzzo-s, por mezi pres që ta forcojmë këtë bashkëpunim edhe me senatin Italian dhe shumë prej rrjeteve të atyre që shërbejnë në qeverinë qendrore dhe lokale. Ju falënderoj publikisht për gjithë ndihmën e jashtëzakonshme dhe të paçmueshme që i keni dhënë komunitetit shqiptar në Abruzzo dhe në të gjithë Italinë”, tha Veliaj.
Senatori italian Luciano D’Alfonso u shpreh i lumtur për bashkëpunimin ndërinstitucional, politik, kulturor dhe ekonomik mes dy qyteteve.
“Jam këtu së bashku me bashkëkryetarin e Chietti-t, Paolo de Cesare, për të parë nga afër ritmin e jashtëzakonshëm me të cilin po rritet Tirana, si dhe rrugëtimin e gjithë Shqipërisë. Jemi të fokusuar për ta kultivuar dhe ruajtur këtë bashkëpunim ndërinstitucional, politik, kulturor dhe ekonomik. Në cilësinë e kryebashkiakut të Pescarës dhe kryetarit të Rajonit, kam theksuar në mjaft raste rëndësinë e transportit ajror ndërmjet Abruzzos, Pescarës dhe Tiranës e Shqipërisë. Kam theksuar jashtëzakonisht rëndësinë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe mbi të gjitha, një bashkëpunim mes qyteteve të rajonit, nën udhëheqjen e Tiranës dhe mikut tim Erion Veliaj,” u shpreh ai.