Zemërimi i kryeministrit të Shqipërisë me veton bullgare ndaj hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut, gjë që ndikon direkt edhe në procesin integrues të Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia e lajmeve Reuters ka si titull “Kandidatët e Ballkanit për anëtarësim largohen duarbosh nga samiti i BE-së”. Më tej Reuters citoi kryeministrin e Shqipërisë duke thënë se ky ishte një “turp” dhe akuzoi gjithashtu krerët e BE për “pafuqi” për dështimin e presionit ndaj Sofjes për të bërë lëshime.
“Është një turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, rrëmben dy vende të tjera të NATO-s, pikërisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në oborrin e shtëpisë së Evropës me 26 vende të tjera të BE-së të ulur në një shfaqje të frikshme impotence”, tha Rama përpara gazetarëve, nënvizon agjencia e lajmeve Reuters.
Edhe gazeta amerikane Washington Post është ndalur te ky zhvillim.
“Kjo çështje e Bullgarisë është një turp”, u ankua kryeministri shqiptar Edi Rama. “Një vend i NATO-s që rrëmben dy vende të tjera të NATO-s” ndërkohë që ka një luftë në oborrin e shtëpisë së Evropës”, citon Washington Post kreun e ekzekutivit shqiptar.
Portali me qendër në Bruksel Euroactive e vendos theksin te zhgënjimi i liderëve ballkanas ndërsa komenton tonin sfidues të kryeministri Rama. “BE-ja “e paaftë për të çliruar dy pengje”, duke iu referuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, “nuk të bën përshtypje të mirë, veçanërisht në kontekstin e luftës. Edhe një pandemi…një luftë kërcënuese, nuk kanë mundur t’i bashkojnë ata”, tha Rama për përçarjen e liderëve të BE-së, duke iu referuar luftës në Ukrainë.
“Zgjerimi ka kaluar nga një vizion i përbashkët i komunitetit në një mjet rrëmbimi të shteteve individuale”, shtoi Rama. “Më vjen keq për ta. Shpresoj t’i ndihmojmë”, tha Rama, duke shprehur “dhimbjen e thellë” për BE-në.
Zhgënjimi i kryeministri Shqiptar u pasqyrua edhe në BalkanInsight, si dhe mediat e tjera të rëndësishme të rajonit të cilat citonin deklaratat e bëra nga kreu i ekzekutivit pas moshapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin.