Deklarimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humlloi, se mund të largohet nga grupi parlamentar, përplasja e deputetes së mazhorancës, Duda Balje, me deputetin e Vetëvendosjes, Armend Muja dhe deklarimi i fundit i shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, se janë rreth tetë deputetë të VV-së që kanë biseduar me ta për të ndërruar anë në Parlament, u ka shtuar volumin zërave se qeveria e Abin Kurtit mund ta gjejë vetën para një mocioni të mosbesimit.
Nuk do të ishte hera e parë që ndodhë. Nuk do të ishte as hera e parë që do të rrëzohej një qeveri në Kosovë. Madje, hera e parë do të ishte po të ndodhte e kundërta – po ta kryente qeveria një mandat të plotë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një formacion qeveritar i Kosovës ta jetojë katër vjeçarin e rregullt.
Kosova është mjaftueshëm demokraci që ta bëjë rrotacionin paqësor, por e bën aq shpesh këtë rrotacion sa që është edhe mjaftueshëm demokraci jo stabile.
Por, a ka gjasa të rrëzohet edhe kjo qeveri?
“Nuk e di”, thotë Visar Ymeri – dikur udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tani udhëheqës i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari” – i pyetur nga Albanian Post.
Ymeri tha “nuk e di”, sepse, përkundër deklarimeve të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, se “qeveria mund të rrëzohet në vjeshtën e vonë”, gjasat duket të jenë minimale.
Qeveria e Kurtit, për nga numrat, është qeveria më e fortë qysh nga paslufta.
Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale fitoi 50.28 për qind që më pas u përkthyen në 58 ulëse në Kuvend. Kur u votua qeveria, u votua nga 67 deputetë.
E gjithë opozita e bashkuar nuk ka deputetë sa ka Vetëvendosje e vetme. PDK-ja me 19 ligjvënës, LDK-ja me 15 e AAK-ja me tetë të tjerë, s’mund ta rrëzojnë qeverinë.
S’mund ta rrëzojnë madje edhe po të kalonin tetë deputetë të tjerë nga VV-ja në LDK-së, siç thotë Gashi se mund të ndodhë.
Opozita e bashkuar ka 42 deputetë aktualisht. Edhe tetë hipotetikë të tjerë, do bënin 50, që e lë shkurt opozitën edhe për 11 deputetë, meqë duhet së paku 61 të jenë pro rrëzimit.
Prandaj Ymeri deklaron se “deri tash kemi vetëm deklarime të pakta (sikur kjo e kryetarit të GP të LDK) e të cilat janë më shumë në nivel supozimesh se sa që bartin të dhëna konkrete (për aq sa e dimë ne, publiku)”.
Për të, diçka më serioze është ajo që e thotë deputeti Humolli.
“Deklarimet Humollit megjithatë janë të një karakteri tjetër që shpërfaqin pakënaqësinë e tij me punën e qeverisë. Mirëpo Humolli kishte qenë i kujdesshëm ta saktësojë në kohë votën e tij eventuale kundër qeverisë, duke u deklaruar se nuk voton kundër qeverisë pa u përmbushur afati 2 vjeçar i punës së qeverisë. Këtu ka shumë nëse”.
Këto “nëse” Humolli ka refuzuar t’i sqarojë. Të paktën disa prej tyre.
I kontaktuar nga Albanian Post për deklarimin e tij se mund të shkëputet nga GP i Vetëvendosjes dhe të distancohet si deputet i pavarur, ai vetëm se i ka rikonfirmuar ato, por s’ka dashur të sqarohet më shumë.
“Me kohë do informoheni”, ka thënë shkurt, duke përsëritur se “nëse nuk punon mirë kjo qeveri, atëherë nuk kam arsye të qëndroj në këtë grup”.
Përtej se opozita nuk i ka numrat, nuk besohet ta ketë as vullnetin.
Këtë e forcon edhe një deklarim i kryetarit të LDK-së në një seancë të Kuvendit të Kosovës, kur pati thënë se me kaq shumë gabime sa po bën Kurti në qeverisje, ai si kundërshtar politik krejt çka duhet të bëjë është të ulet e të pres.
“Zgate zot”, pati dëshiruar Abdixhiku, duke aluduar në paaftësinë në qeverisje që po e ekspozon Kurti me politikat e tij.
Bazuar në këtë, edhe Ymeri thotë për ish-bashkëpartiakun e tij se problemet i ka të tjera.
“Qeveria mendoj që i ka dy sfida madhore prej të cilave do të varet jetëgjatësia e saj”.
“Duket se Kryeministri Kurti do të ballafaqohet me një intenzitet të shtuar në procesin e dialogut me Serbinë gjatë muajve të vjeshtës e për të cilat besoj se duhet të përgatitet mirë”.
Dhe kjo situatë, thotë Ymeri, e sjellë Kurtin në një gjendje ku ai duhet “të luftojë që të nxjerrë një marrëveshje sa më të mirë për Kosovën, pra që kompromisin për Kosovën ta bëjë sa më të padhimbshëm. Po ashtu duhet të luftojë që ta paguajë një çmim sa më të ulët elektoral për veten e tij duke e pasur parasysh qëndrimet historike të tij karshi temave të dialogut (Asociacioni, pozita e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë etj), duke u detyruar kështu të arrijë marrëveshje armëpushimi edhe me opozitën”.
“Dhe duhet të luftojë me opinionin publik, në mënyrë që ta shpjegojë drejtë dhe saktë domosdonë e arritjes së marrëveshjes dhe ta arsyetojë cilësinë e saj. Prapë, edhe këtu, do të luftojë kundër pritjeve që vetë i ka ndërtuar ndër vite”.
Akoma problem më kërcënues për Kurtin do jetë “kriza ekonomike dhe sociale”.
“Kosova”, shpjegon Ymeri, “do të përballet me çmime jashtëzakonisht të larta të energjisë elektrike, sikur pjesa e tjetër e botës perëndimore”.
“Kjo do të ketë pasoja domethënëse ekonomike dhe sociale për të cilat qeveria nuk ka dhënë ndonjë shenjë të përgatitjes serioze. Subvencionimi sikur dimrin e kaluar mund të mos ndihmojë në valën e re të krizës energjetike. Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pastaj kokëçarje për ekonominë që mund ta thellojë krizën sociale, por edhe mospajtimin qytetar me një mungesë eventuale të furnizimit”.
Të gjitha këto mund të ndodhin dhe opozita prapë mund të mos e ketë kartën e rrëzimit të qeverisë në duar, sepse, siç deklaron Ymeri, “për qytetarët është po ashtu e rëndësishme se për çka po rrëzohet qeveria nëse ajo rrëzohet. Duhet ta dimë si do të jemi më mirë me qeverinë e re”.
Një “potez” nga plani i dytë, Kurti mund ta rrëzojë veten
Serbia i ka mbajtur zgjedhjet me 3 prill, por qeverinë ende nuk e ka formuar.
Kryeministri Kurti e ka dhënë një shpjegim për këtë vonesë të formimit të qeverisë atje.
Ka thënë se në leximin e tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, me qëllim po e vonon konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e qeverisë së re, sepse kështu iu ikë obligimeve ndërkombëtare që po i kërkohen – pjesëmarrja në dialog, pozicionimi i qartë kundër Rusisë dhe vënia e sanksioneve për Moskën zyrtare.
Një model i tillë i ikjes nga përgjegjësia mund të strukturoret edhe në Kosovë.
Kurti, disi, e ka provuar një herë si metodë dhe i ka funksionuar.
Në qeverinë e tij të parë, ai u rrëzua “midis” Pandemisë dhe luftën për opinionin publik e fitoi, duke bërë fajtorë kundërshtarët e tij se “menduan për interesin e tyre dhe jo për atë të qytetarëve”.
Në fakt, përçarjen me atëherë partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kishte filluar vetë, kur rrëzoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliun, pa u konsultuar fare me LDK-në, siç e kishin në marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Rrëzimi kishte ardhur vetëm se Veliu në një emision televiziv kishte dhënë mendimin e tij për gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.
Kryeministri e rrëzoi Veliun me arsyetimin se mendimi i tij nuk ishte uniform me atë që vetë qeveria si e tërë ka për situatën.
Se ishte ky një veprim i Kurtit që ia kishte kërkuar kalkulimi politik dhe jo veprimi parimor, do të zbardhej më vonë, gjatë qeverisjes aktuale. Ministri i Kurtit për Komunitetet dhe Kthim, Goran Rakiç, jo vetëm deklarime kundër qeverisë në të cilën vetë bën pjesë, por ai ishte organizatori i bllokimit të rrugëve në Veri të Kosovës, kur ishte përplasja për targat, por Kurti asnjëherë s’e shqyrtoi rrëzimin e tij.
Gjithsesi, eksperimenti kishte rezultuar me sukses.
Opozita bashkë me LDK-në e kishin rrëzuar Kurtin. Ai bindi qytetarët se iu bë e padrejtë dhe në zgjedhjet e ardhshme fitoi mbi 50 për qind të votës së përgjithshme.
Por, në të kaluarën ka pasur raste edhe më direkte kur partia në pushtet është vetërrëzuar.
Këtë e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës. Në momentin që partneriteti me LDK-në e Isa Mustafës nuk i konvenonte më, e çoi vendin në zgjedhje.
Në fund të fundit, a duhet të rrëzohet Qeveria?
Albin Kurti kur fitoi zgjedhjet, akoma pa u bërë zyrtarisht kryeministër, deklaroi se ka parë një sondazh të realizuar dhe qytetarët nuk e kanë prioritet dialogun me Serbinë.
“Qytetarët e kanë prioritet punësimin dhe drejtësinë, prandaj dialogu është prioritet, por prioritet i gjashtë, apo i shtatë”, pati konstatuar Kurti.
Nëse jo për Kurtin, doli që dialogu ishte prioritet i rrethanave.
Energjitë kryesore qeveria i ka shpenzuar në dialogun në Bruksel. Edhe njeriu më i besuar i Kurtit, Besnik Bislimi, është emëruar si kryenegociator i palës së Kosovës. Derisa vetë Kurti ka shprehur vazhdimisht vullnetin për të udhëtuar drejt takimeve mes tij e Vuçiç-it.
Edhe sa i përket punësimit, përkundër se i deklaruar prioritet, pak është bërë. Kurti bashkë me ministrin e tij, Hekuran Muratin, thoshin se përmes politikave të tyre ekonomike janë shtuar 25 mijë vende pune, por Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) i përgënjeshtroi.
Bazuar në të dhënat e Trustit, në tre muajt e fundit të 2021’së – tetor, nëntor dhe dhjetor – numri i kontribuesve në Trust ishte 419 mijë e 654. Kurse në tre mujorin pasardhës – janar, shkurt, mars 2022 – 317 mijë e 803.
Rënia e llogarive aktive në Trust për 102 mijë, përkthehet në po kaq vende pune më pak në Kosovë në tregun formal.
Edhe të dhënat e publikuara nga Institutit GAP, që merret me hulumtime, analiza e studime të politikave publike, e nxjerrin keq qeverinë.
Sipas GAP-it, {realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 të jetë më i ulëti në dekadën e fundit{. Ky institut sugjeron se dy janë arsyet kryesore për këto shifra të ulëta – rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikat qeveritare.
Kurti kishte premtuar edhe sistemin e Sigurimeve Shëndetësore, sepse, siç kishte deklaruar në fjalimin e tij të parë si kryeministër, “në vendin tonë askush s’duhet të falimentojë nëse sëmuret”.
Sigurime shëndetësore nuk ka dhe gjendja në përgjithësi në Shëndetësi është jashtëzakonisht e rëndë, me ministrin e shëndetësisë, Rifat Latifin, që një pjesë të madhe të kohës e kalon në SHBA, prej nga edhe ka ardhur në Kosovë.
Kurti në të njëjtin fjalim në Kuvend kishte përmendur edhe “Ligjin për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët do të mund të pensionohen në moshën 55-vjeçare”. Për këtë, as që është diskutuar fare.
Në politikën e jashtme Kosova tash e dy vjet nuk ka pasur asnjë njohje të re, derisa nuk është pranuar po ashtu në asnjë organizatë ndërkombëtare. Ka aplikuar për në Këshillin e Sigurimit, porse akoma nuk është futur në rend dite për shqyrtim aplikimi i Kosovës.
Kurti në Bruksel ka nënshkruar edhe kontratën për Energjinë me kompaninë serbe Elektrosever, marrëveshje që ishte negociuar nga Edita Tahiri. Marrëveshja është e njëjtë, ashtu deklaroi edhe Besnik Bislimi – “nuk i ndryshon asnjë pikë dhe asnjë presje”, tha.
Kurti kishte pohuar se meqë KEDS-i nuk po e bën inkasimin në Veri, atë do ta bëjë shteti i Kosovës, por as kjo nuk ka ndodhur. E kundërta madje, qeveria ka ndarë dhjetëra miliona për të paguar borxhin e konsumatorëve serbë që nuk e paguajnë rrymën.
Në aspektin e sigurisë, ishte premtimi i Kurtit, për ta bërë Kosovën pjesë të Kartës së Adriatikut, por as kjo nuk ka ndodhur.
Sa i përket drejtësisë, akoma askush nga figurat e larta publike/politike nuk është dënuar për korrupsion, nuk janë shpërbërë “monopolet” të cilat kryeministri thoshte se ekzistojnë në Kosovë dhe ka pasur disa skandale të vetat me korrupsion kjo qeveri.
Në anën tjetër, procesi i Vetting-ut, bashkë me Byron për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka bërë hapa para dhe është dërguar në Kuvend, edhe pse, Komisioni i Venedikut, ka pasur kritika në mënyrën e përpilimit, sidomos për Byron, por është premtuar se drafti final i ligjit do t’i përfshi vërejtjet e këtij komisioni.
Kurti, ashtu siç kishte premtuar, nuk ka lejuar që të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë, nuk ka lejuar të mbahet referendumi i Serbisë në Kosove dhe gjithashtu ka vendosur reciprocitet për targat serbe dhe kalimin e kufirit nga Serbia për në Kosovë të automjeteve dhe qytetarëve serbë. /Albanianpost.com/