Nga Jakin Marena
Lajmi se kryeministri Edi Rama do zhvillojë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin për ndërtimin e një baze ushtarake detare të Aleancës në Porto Romano ka shkaktuar ndjenja të përziera tek politika dhe qytetarët shqiptarë.
Nëse pjesa më e madhe e qytetarëve dhe e politikës shqiptare ndjehen jo vetëm të vlerësuar nga interesimi i NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake detare në brigjet shqiptare, por edhe kontribues e të mbrojtur akoma më shumë nga Aleanca, një pjesë e vogël e politikës dhe e militantëve që e mbështesin atë, po shfaqin shenja frike dhe frustimi.
Mund të quhet i pashpjegueshëm ky fakt. Nëse dikujt do t’ia thoje gojarisht se opozita shqiptare është shprehur kundër ndërtimit të kësaj baze ushtarake në Porto Romano nuk do ta besonte. Por Sali Berisha nuk zhgënjen askënd dhe asnjëherë kur vjen puna për të dalë kundër të gjitha investimeve në Shqipëri që sjell kundërshtari politik Edi Rama, si kryeministër i vendit.
Aq më tepër kur ka dhe rolin e SHBA brenda këtyre zhvillimeve, Berisha nuk “mban” fare. Me sa duket shpallja “non grata” familjarisht nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë në Shqipëri, ka lënë gjurmë aq të thella tek ai, sa për hallin e tij familjar tashmë në pleqërinë e thellë, po tërheq pas vetes gjithë opozitën shqiptare.
Pikërisht në ditën kur tabloidi britanik “Ekspres” lajmëron vizitën e ditës së mërkurë të Ramës në Bruksel për t’u takuar me Stoltenberg dhe diskutuar për projektin e ndërtimit të bazës ushtarake detare të NATO-s në Porto Romano, një financim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe Aleancës ky, Berisha në mënyrë zyrtare ka nxjerrë zëdhënësen e PD, për të deklaruar publikisht qëndrimin kundër këtij projekti madhor për Shqipërinë dhe mbarë rajonin e më gjërë.
Përmes një apeli drejtuar Brukselit ku i ‘lutet’ që të mos e ndërtojë një bazë të të tilla përmasave në brigjet shqiptare, Berisha rendit katër arsye, për të madhore. Ndërsa për mendjen edhe të një njeriu mesatar dhe të parrahur me politikën dhe hallet e shqiptarëve, duket tepër qesharake.
Si arsye të parë për mos-ndërtimin e bazës ushtarake detare të NATO-s, Berisha pretendon se prapa këtij projekti fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive që sipas tij është spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar i Durrësit për në Porto Romano.
Sali Berisha këmbëngul se “ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit”. Ai akuzon kreun e qeverisë shqiptare se ka një aferë korrupive në këtë investim.
Në krye të herës, investimi i Emirateve është madhor dhe arrin në shifrat e 2 miliardë eurove, një shumë e painvestuar deri më sot në Shqipëri. Projekti është prezantuar dhe është në përfitim të dukshëm për shtetin shqiptar. Pasi pasohet dhe me projekte të tjera zhvillimi në disa rajone të vendit.
Fundja çfarë lidhje ka projekti i NATO-s, me projektin e Emirateve, pasi kanë qënë ekspertët ushtarakë ata që kanë përcaktuar si gjurmën më të përshtatshme Porto Romanon për të ndërtuar bazën ushtarake të NATO-s, ku të gjitha gjasat janë që të zhvillohet shpejt si projekt në brigjet shqiptare.
Për më tepër habi bën fakti se kush e artikulon një akuzë të tillë, Sali Berisha, njeriu i shpallur “non grata” për korrupsion të lartë pikërisht nga SHBA, vendi që është financuesi më i madh për mbajtjen në këmbë të Aleancës dhe që ka rolin udhëheqës të saj.
Argumenti i dytë që sjell Berisha për të kundërshtuar ndërtimin e kësaj baze detare është akoma më absurd: Pagat e ulëta të ushtarakëve. Për hir të së vërtetës, pagat e ushtarakëve shqiptarë janë më të lartat në rajon. Sidomos me shtesën e fundit të qeverisë shqiptare që ka hyrë në fuqi tashmë. Se çfarë lidhje kanë pagat e ushtarakëve shqiptarë me projektin e një baze të madhe të Aleancës në Porto Romano, vetëm një mendje si e Berishës mund të shpjegojë.
Pasi dhe argumenti se investimet e ulta në infrastrukturë dhe buxhetin e ushtrisë, gjë sipas Berishës është kundër standardeve të NATO-s ndaj nuk duhet ndërtuar baza detare në Porto Romano, është vetëm dashakaqësi dhe aspak një interesim serioz për standardet e ushtrisë shqiptare.
Ndërsa argumenti i tretë që Berisha rendit si arsye për mos-ndërtimin e bazës detare të NATO-s është mungesa e lirisë së shtypit. Lidhjen e shtypit me një investim serioz të Aleancës në brigjet shqiptare e gjen vetëm Berisha dhe askush tjetër, pavarësisht se i bashkangjit këtij arsyetimi se liria e shtypit është e lidhur me sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s. Aq më tepër që një kusht të tillë e vë Sali Berisha, njeriu që ka qënë për një kohë të gjatë në “Top-Listën” e 10 armiqve më të mëdhenj të shtypit në botë.
Sa për sigurinë, pikërisht për këtë arsye NATO me në krye SHBA-në, duke e çmuar Shqipërinë si një aleat serioz dhe partner strategjik, por dhe të sigurtë, po ndërton këtë bazë ushtarake në Porto Romano, një garanci sigurie për vendin dhe rajonin, për të eksportuar siguri dhe stabilitet.
Njëherësh garancia ka ardhur dhe për shkak të ngritjes së standardit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë që kanë treguar nivelin e tyre në lartë në stërvitjet me aleatët brenda dhe jashtë vendit, realizimin me sukses të misioneve paqeruajtëse dhe tani në Letoni përballë agresionit rus, në partneritet të plotë me SHBA dhe vendet e tjera të NATO-s, e vlerësuar dhe në ministerialet më të fundit të Ministrave të Mbrojtjes!
Ndërsa argumenti i katërt i renditur nga Berisha për të mos lejuar ndërtimin e një bazë ushtarake të NATO-s në Porto Romano është akuza e tij e kahershme dhe e gjithëhershme se jemi vend prodhues i kanabisit dhe se trafiku i drogërave të forta kalon nga Shqipëria.
A thua vijnë me satelit dhe direkt e në Shqipëri sasirat e drogës nga Amerika Latine apo dhe nga vendet aziatike e shpërndahen në Europë, duke i hequr në këtë mënyrë natyrën globale këtij trafiku, që përfshin të gjitha vendet ku më shumë e ku më pak, e që përballet me aleancën globale anti-trafik.
Të përmbledhura të gjitha në një, ndonëse deklarohet për mbështetje e bashkëpunim me Aleancën, Berisha deklaron hapur se është kundër ndërtimit të bazës detare ushtarake të NATO-s në Shqipëri dhe për pasojë dhe kundër pranisë së përhershme të Aleancës në vend.
Dikush mund të thotë se ish kryeministri demokrat i mëshon fort “sovranizmit”. Madje herë herë deklaratat e Berishës na ngjajnë me ato të Enver Hoxhës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe dëbimit të flotës ruse nga Pashalimani në Vlorë, kur deklaronte se “Shqipëria nuk do të jetë kurrë një bazë për ushtritë e Imperializmit Amerikan e Socialimperializmit Sovjetik, një kërcënim dhe rrezik për popujt e shtypur”.
Vetëm këtë pasazh s’kishte futur në deklaratën zyrtare të në emër të PD, Berisha ditën e sotme, për të kundërshtuar ndërtimin e bazës detare të NATO-s në Porto Romano.
Për hir të së vërtetës Berisha nuk pyet shumë as për interesin e shqiptarëve dhe as për renditjen e Shqipërisë si një aleat serioz në gjirin e Aleancës. Aspak. Nuk dëgjon nga ai “vesh” ai.
Kreu i PD ka vetëm një hall, atë personal dhe ngritja e një baze nga ana e Aleancës në Porto Romano, i shkakton dy shqetësime të forta që i “djegin” goxha: Politike dhe familjare.
Shqetësimi politik është se këtë projekt dhe këtë investim madhor, të ëndërruar nga çdo qeveri shqiptare e sjell “armiku” i tij sikurse e ka deklaruar kohët e fundit, Edi Rama. Për Berishën ky është një bonus shumë i fortë politik dhe mbështetjeje për kundërshtarin politik në termat afatshkurtër për zgjedhjet e pushtetit vendor që zhvillohen pranverën e ardhshme dhe afatgjatë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2025.
Rama ka përkthyer përballimin e krizave të forta si tërmeti e pandemia në shumëfishim votash elektorale, e jo më një investim të tillë madhor si një bazë ushtarake detare të NATO-s me interesimin e vetë SHBA që i shtohet dhe bazës ajrore të Aleancës në Kuçovë, të cilat i ngrenë shumë kuotat politike të mazhorancës aktuale të PS.
Dhe Berisha si “skile” e vjetër e politikës e di më mirë se kushdo një gjë të tillë. Ndaj është në hall, dhe detyrohet që të shprehet kundër këtij projekti të madh ushtarak të Brukselit në brigjet shqiptare. Dhe do ta kundërshtojë çdo ditë e më shumë, pasi i ka krijuar shqetësim.
Mund të thuhet pa frikë se është i njëjti shqetësim i krijuar dhe në qarqet ruse, për fuqizimin e Shqipërisë, nga ku NATO i dërgon mesazhe direkte Putinit. Jo pa qëllim dhe tabloidi britanik “Ekspres” e kishte nisur artikullin me fjalët “Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”.
Berisha veç të tjerave, fuqizimin e Shqipërisë dhe nga ana ushtarake, e sheh si një fuqizim politik të Ramës, dhe kjo për të është e papërtypshme për të. Ndaj nga halli apo dhe nga “malli”, e ka treguar në të gjitha momentet kyçe të vendit, Berisha është rreshtuar zyrtarisht përkrah Rusisë dhe vendeve jomike të Shqipërisë, po e kundërshton ndërtimin e bazës ushtarake të NATO-s në Porto-Romano.
Mos po i çon mesazh të koduar Rusisë se është kundër ndërtimit të bazave ushtarake të NATO-s së udhëhequr nga SHBA në Shqipëri? Një kundërshti e tillë është dhuratë e paçmuar për Rusinë në këtë situatë lufte me Ukrainën, ku Putin është i rrethuar nga të gjitha anët nga sanksione të forta!
Halli familjar i Berishës, që pravalon dhe mbi gjithë hallet e tjera por që është i lidhur me to, që po e katandis që të kundërshtojë projektin madhor ushtarak të NATO-s në Shqipëri, janë dhe pronat e vajzës së tij Argita Berisha-Malltezi në Porto Romano. Dhe të mikut të tij Damir Fazlliç.
Ndoshta kemi qënë të informuar gabim se Argita i ka shitur të gjitha pronat e blera lirë në Porto Romano, pasi vetë shqetësimi i Berishës për ngritjen e bazës ushtarake të NATO-s në këtë zonë po tregon se diku mendon se i cënohet ekonomia familjare e tij. Berisha ka treguar se nuk e ndan hallin familjar nga politika. E ka treguar kur shkatërroi drejtësinë e shtetin për të shpëtuar djalin Shkelzen nga prangat për shkak të aferës së “Gërdecit”.
E tregoi dhe së fundmi kur shkatërroi PD-në vetëm për hallin e tij për ta pasur si mburojë për “non gratan” dhe përballë drejtësisë për akuzat e shumta që ka në kurriz. Pra e ka treguar sa herë që i është dhënë rasti se për familjen ai shkatërron shtetin nga themelet.
Ndaj do të jemi të dëtyruar të dëgjojmë kundërshti të tilla nga Berisha, madje shumë gjatë, për çfarëdo projekti ndërtues dhe në favor të Shqipërisë. Nga halli apo i detyruar për të “rikthyer” dikujt shërbimin, atë e di vetëm ai. Fat është se nuk ka fuqi të bllokojë asgjë.
Ndërkohë që Presidenti në largim Ilir Meta, aleati i tij i ngushtë dhe partner në opozitë pas 24 korrikut, deri më tani ka qëndruar në heshtje. Jo se është kundër Berishës të kuptohemi, por i kanë ndarë rolet: Njeri bën të “fortin” tjetri mistrecin që u kthye në “çunin e mirë”. Derisa të rikthehet dhe Meta në “habitatin” e vet!