Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka përshëndetur miratimin e propozimit francez nga Maqedonia e Veriut, e cila i hap rrugë anëtarësimit edhe të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Teksa pritet vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ministrja Spiropali thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën kthimin në shtëpinë e tyre të natyrshme, atë drejt Bashkimit Europian.
Në një postim në Facebook, Spiropali ka edhe një përgjigje për skeptikët. Sipas ministres, ata që shpifin dhe nuk gjejnë arsye të gëzohen në një moment historik për Shqipërinë, do harrohen shpejt me marrëzitë e tyre aventurore.
Postimi i Elisa Spiropalit:
Do kthehemi në shtëpi! Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën kthimin në shtëpinë e tyre të natyrshme, në Bashkimin Evropian.
Ata që klithin por s’dëgjohen, shpifin por nuk turpërohen, ata që në këtë moment historik të kombit nuk gjejnë arsye të gëzohen, do harrohen shpejt bashkë me marrëzitë e tyre aventurore për ta kthyer pas orën e Historisë.
Shqipëria po bëhet. Edhe për inat të tyre. Edhe për të mirën e tyre dhe të gjithëve. Forca Shqipëri, me Ty gjithmonë!