Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka reaguar pasi qeveria kroate ia ndaloi atij vizitën në Jasenovac dhe Pakrac.

“Vetëm bëjeni ju punën tuaj. Do të jetojë populli serb dhe kurrë nuk do të harrojë”, ka shkruar ai në Instagram, duke publikuar një foto.

Qeveria kroate thotë se presidenti serb planifikonte të krijonte kaos në Koraci.

Pa njoftim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiç kishte dashur ta kalonte kufirin nga Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska dhe të mbërrinte në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.

Vuçiç, sipas burimeve nga qeveria e Plenkoviçit, kishte kontaktuar me kryetarin e partisë serbe, SDSS, Milorad Pupovac të cilit i kishte treguar se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, në zonën përkujtimore ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.

Ai e kishte ftuar Pupovacin që t’i bashkohej dhe kishte thënë se, nëse e konsideronte të nevojshme, do ta informonte qeverinë kroate për vizitën e tij, gjë që e bëri Pupovac dhe qeveria kroate, siç shkruan Jutarnji, u trondit nga mënyra se si presidenti serb kishte planifikuar të krijonte kaos në Kroaci.