Numri i të infektuarve realë nga nënvarianti BA5 i Omicron është shumë më i lartë se shifrat zyrtare. Ekspertët thonë se shumë qytetarë nuk kryejnë testin për Covid pasi e mendojnë ftohje të stinës. Por karakteristikë e kësaj vale është përqindja e lartë e asimptomatikëve dhe vështirësia për tù kapur nga Ba5 nga testi i shpejtë. Kreu i Urgjencës kombëtare Skënder Brataj thotë se javën e fundit janë rritur thirrjet dhe urgjencat për Covid, por pozitiv është fakti që format e rënda dhe terapia intensive nga varianti Ba5 janë të pakta.

Referuar të dhënave nga shtetet që u prekën më herët nga nënvarianti Ba5, Brataj thotë se ky mutacion është shumë ngjitës dhe përhapet me shpejtësi. Thuajse të gjithë do të prekemi prej tij, pavarësisht nëse e kemi më parë kaluar sëmundjen apo jemi të vaksinuar. Eksperti i Komitetit Teknik tregon se vala nga Ba5 kulmin e infektimeve do ta ketë në gusht, ndërsa vjeshta parashikohet të jetë e qetë.

Ndërkohë kompanitë e mëdha të prodhimit të vaksinave pritet të nxjerrin vaksinë në polivalente anti-Covid, për t’i paraprirë rrezikut nga mutacionet e reja të koronavirusit, që me sa duket do të jetë gjatë mes nesh.