Të paktën 24 raste vdekjesh janë raportuar në klinikën private “Zhan Mitrev” në Shkup, pas disa eksperimenteve që kishin në thelb shërimin e Covid nëpërmjet hemofiltrimit, ose filtrimit të gjakut. Prokuroria publike nisi menjëherë hetimet, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar kontrolle të jashtëzakonshme në këtë spital.

“Është dërguar shkresë në Inspektoratin Shtetërore Sanitar Shëndetësor që menjëherë të kryhet inspektim i jashtëzakonshëm në spitalin klinik “Zhan Mitrev”. Gjithashtu kërkova informacion nga Inspektorati nëse në periudhën e fundit tre vjeçare janë zbatuar inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme dhe cilat janë rezultatet. Të dhënat paraprake tregojnë se nuk është respektuar, por ta lëmë të konfirmohet gjendja faktike në klinikën spitalore “Zhan Mitrev”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Sipas investigimit të kryer nga Laboratori për Gazetari Hulumtuese, trajtimi nga klinika ka qenë i jashtëligjshëm, por edhe ka infektuar shumicën e pacientëve me baktere vdekjeprurëse. Sashka Cvetkovska, një nga gazetarët që kanë hulumtuar rastin, tha për mediat se “dyshimet bazohen në 24 tragjedi familjare”. Sipas saj, denoncime në prokurori ka pasur edhe më parë, por nuk janë ndërmarrë masa.

Studimi klinik me metodën e hemofiltrimit në këtë klinikë, rezulton të jetë bërë pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore. Ndërkohë, Klinika ‘Zhan Mitrev’ e ka cilësuar lajm të rreme e të fabrikuar, për të goditur punën e saj.