Ne evropianët tani jo vetëm e kuptojmë, por jemi të vetëdijshëm se Evropa nuk do të gëzojë siguri, stabilitet dhe prosperitet pa integruar plotësisht Ballkanin Perëndimor, theksoi komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në një intervistë për euractiv.com.

Komentet erdhën pasi udhëheqësit e BE-së në qershor i dhanë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë si një sinjal solidariteti në përgjigje të agresionit rus dhe shtetet anëtare në korrik ndezën dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të vonuara gjatë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

”Ndoshta është ndikimi i vetëm pozitiv i luftës së Rusisë në Ukrainë, sepse e kthjelloi diskutimin rreth zgjerimit si dhe kapacitetin absorbues të BE-së”, tha Varhelyi.

”Ne evropianët, tani jo vetëm e kuptojmë, por jemi gati ta realizojmë këtë, se Evropa nuk do të gëzojë siguri, stabilitet dhe prosperitet pa u integruar plotësisht Ballkani Perëndimor”, tha ai.

Vitet e fundit, ka pasur pak gatishmëri për zgjerim brenda BE-së dhe disa shtete anëtare kanë kërkuar reforma të BE-së përpara se të pranojnë një anëtar të ri.

”Mos harroni, ne morëm përsipër një Komision Evropian i cili tha ‘jo zgjerim”, tha Varhelyi duke shtuar se në gjysmën e dytë të mandatit të tyre, komisioni ”Juncker” e kuptoi se ky ishte një gabim strategjik.

”Ajo që unë pres tani, dhe ajo që do të jetë një përgjegjësi e madhe për Komisionin Evropian, është se tani ekziston një vullnet i qartë politik, i cili nuk ka qenë gjithmonë i dukshëm”, shton ai.