Çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël nuk do të ndryshojë pavarësisht krizës që po kalon sektori energjetik në të gjithë botën.
Gjatë një interviste televizive, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se duke nisur nga data 1 tetor do të vendoset si tavan fasha prej 800 kilovat/orë dhe konsumatorët familjarë, mbi këtë sasi, do të faturohen me vlerën e tregut.
“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi jonë është që të fillojë më 1 tetor”, tha Balluku duke bërë të ditur se çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare kanë kaluar çdo parashikim, ku sot vlera arriti në 616 euro për megavat.
Ministrja tha se nuk ka asnjë plan për ndërprerje të energjisë ndërsa shtoi se në terren për të ndaluar abuzimet, si nga konsumatorët familjarë ashtu edhe bizneset do të zbresë për kontrolle një task-forcë. “Është e domosdoshme në këto momente, si për të vënë në funksion të gjithë eficenën energjetike, duke nisur nga bashkitë tek entitetet private”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kaskada e Drinit është mirëmenaxhuar, teksa njoftoi se në fillim të shtatorit në Vlorë do të vendosen 2 anije që do të prodhojnë energji që njihen si termocentrale lundruese. “Ne presim që të ankorohen në fillim të shtatorit dhe të jenë të gatshme për prodhim në tetor”, bëri të ditur Balluku.
Pavarësisht akuzave të opozitës, Balluku tha se Qeveria Shqiptare po menaxhon më së miri krizën në sektorin energjetik.
“Të ulërasësh sot dhe të thuash që po keqpërdoret situata, ndërkohë që e dinë dhe fëmijët që megavat/orë shitet me 10-fishin e çmimit. Të ulërasësh sot që kaskada po keqmenaxhohet kur ne jemi në nivelin 275 dhe nuk mbahet mend kur ka rënë shiu i fundit në Kukës”, tha Balluku duke shtuar se sa i takon Kosovës, Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesin sipas marrëveshjes së shkëmbimit të energjisë.
Në pozicionin e zv.kryeministres, Balluku pohoi për hartimin e një pakete tjetër mbështetëse për familjarët dhe bizneset që nuk përballojnë dot rritjen e tejskajshme të çmimeve.