Janë ekspozuar në ish-vilën e Mehmet Shehut, statujat e Leninit dhe Stalinit, të ruajtura më herët në Galerinë Kombëtare, tanimë në rikonstruksion. Dy shtatoret janë shkëputur nga Fondi që ruhet në Muzeun Historik, e janë ekspozuar duke ngjallur debate. Ministria nuk sqaron, ndërsa ekspozimi i tyre kontestohet nga qytetarët e thjeshtë dhe aktivistët
Është 23 gushti, Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.
“Sistemi totalitar shqiptar, ka shkaktuar 6 mijë e 27 viktima dhe 35 mijë shqiptarë janë të burgosur politikë. 60 mijë të tjerë kanë qenë të internuar dhe pjesa më e madhe e vendit jetonte në izolim total. Pra, nëse sot ka pasur një nevojë për të ekspozuar historinë dhe fatin që ka përndjekur shqiptarët nga 1945-a deri në 1990-ën, është memorializimi i të gjithë atyre që kanë qenë viktima. Elita, poetë, mësues qytetarë të thjeshtë që kanë pasur një fat fatal gjatë atij regjimi”, shprehet aktivisti Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
Në Kryesinë e Kuvendit lëvizjet vijojnë normalisht, ndërsa turistët duket se kanë diç më shumë për të gjëmuar.
Disa ushtarë parakalojnë në rrugicën që të çon në ish-vilën qeveritare, ku ka banuar ish kryeministri Mehmet Shehu. Paraditen e kësaj të marte (ora 10.00) është bosh, ndërsa në oborr ka dy vizitorë të rinj. Statujat monumentale të Leninit e Stalinit, prej 3 dekadash të shkulura nga sheshet ku ishin vendosur, tanimë qëndrojnë përballë. I pari krahë thyer, fshehur mes pemëve, i dyti me autoritarizmin e gdhendur të pacënuar…
“Këtë mëngjes e gjetëm veten të shokuar, tek shohim se në qendër të Tiranës, në krahë të Kryesisë së Kuvendit, në vilën ku priten delegacione qeveritare të ndryshme, janë ekspozuar statuja të Stalinit dhe Leninit. Ne vlerësojmë se nuk kemi të bëjmë me asnjë instalacion të mundshëm, siç është pretenduar nga Agjencia për Media dhe Informim e Kryeministrisë. Ato nuk janë rimodeluar apo rikompozuar për të dhënë një mesazh të caktuar. I vetmi mesazh që këto statuja mbartin kryesisht ajo e Stalinit, është që ka qëndruar për 17 vite atje ku ndodhet sot monumenti i Skënderbeut, në qendër të Tiranës, për të kujtuar regjimet totalitare dhe për t’i kujtuar çdo shqiptari që tentonte të ishte i lirë se në qendër ishte mbreti i diktatorëve që në fakt do të dënonte me vdekje çdo shqiptar që do të tentonte të ishte i lirë apo me orientim perëndimor”, thotë më tej aktivisti.
Zhvendosur nga Galeria Kombëtare e Arteve në rikonstruksion ku ruheshin prej së paku 10 vitesh (më herët kanë kaluar një kalvar zhvendosjesh në ofiçina, fonderi e të tjerë), statujat ndahen nga dera e hapur e vilës, që përdoret për takime qeveritare e një makinë gaz 69, tipike e llojit që prodhonte ish Bashkimi Sovjetik. Ndryshe nga veprat e tjera të Fondit të Galerisë që ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, këto statuja të cilat publiku është mësuar t’i shikojë pas shpinës së Galerisë tanimë dalin në ballë të ish-vilës. Galeria Kombëtare, pa një drejtor të emëruar, dhe me Entela Çipën që e udhëheq prej pak ditësh e komanduar, nuk ka ende një përgjigje konkrete rreth këtij ekspozimi, që ndërkohë ka ngjallur edhe kontestime nga ata që vuajtën gjatë regjimit komunist.
Në pritje që Ministria e Kulturës të japë një përgjigje të sqaruar nëse flitet për një instalacion siç deklaron për mediet Agjencia për Media dhe Informim e cilët janë ideatorët e saj, Qëndresa Qytetare dhe Diaspora per Shqipërinë e Lire kontestuan në mesditë aktin përballë Selisë së Kuvendit ne Bllok.