Ashtu siç edhe pritej Qeveria e Dritan Abazoviç do të ketë ditë të vështirë pasi firmosi marrëveshjen me Kishën Orthodhokse Serbe. Partia Demokratike e Socialistëve ka depozituar sot në parlamentin e Malit të Zi kërkesën për votëbesimin e kryeministrit Dritan Abazoviç.
Kryetari i klubit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviç, tha se kanë dorëzuar iniciativën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi. Zhivkoviç tha se nuk e kontestojnë që çështja e Marrëveshjes Themelore duhet të zgjidhet, por se kryeministri është sjellë si njeri që nuk mund t’i besohet.
Ai tha se e kanë mbështetur Qeverinë “nga synimet më të mira” sepse “qartë qeveria nuk është marrë me prioritetet kyçe, si forcimi i ekonomisë, sistemit shëndetësor dhe qëndrimi në ballë të ndërtimit të një force të re në rrugën evropiane të Malit të Zi”. .
“Veprimet e sotme të Qeverisë dhe Abazoviçit nuk mund të kenë mbështetjen tonë, prandaj kemi komunikuar qëndrimin tonë për nënshkrimin e një kontrate të tillë me Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë Zhivkoviç.
Ai tha se iniciativën e kanë nënshkruar SDP, Mehmed Zenka, Partia Liberale dhe Socialdemokratët, ndërsa partitë e tjera do të vendosin më vonë. Ai theksoi se gjendja e ekonomisë malazeze dhe gjendja epidemiologjike në vend janë përkeqësuar edhe më shumë, dhe procesi i mëtejshëm i integrimit në BE është vënë në pikëpyetje. Ai vlerësoi se qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin e saj për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, e cila ka rezultuar në rritjen e tensioneve në shoqëri dhe një humbje potencialisht të pariparueshme të kohës, e cila është e nevojshme për përmbushjen cilësore të obligimeve nga agjenda evropiane.
Partia Demokratike e Socialistëve njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se do të nisë një iniciativë për votëbesimin ndaj Qeverisë së Malit të Zi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (KPS).