Nga Mero Baze/
Jam kundër atyre që janë të zemëruar me Albin Kurtin për atë që ka ndodhur dje mes Serbisë dhe Kosovës lidhur me përdorimin e letërnjoftimit nga serbët dhe shqiptarët në kufi, pa pengesa, apo shtesa me letër të bardh, siç ka qenë deri më sot.
Në Kosovë janë zemëruar pse Albin Kurti po u shet si marrëveshje, një deklaratë verbale të Vuçiq që pranon të zbatoj një pikë nga Marrëveshja e 2011. Shumë nga ata që janë zemëruar, e kanë me faktin që Albin Kurit këtë marrëveshje e ka pas quajtur tradhti ndaj Kosovës dhe kë bërë dhjetëra protesta ndaj saj. Tani vetëm pse po zbaton një pikë të saj po feston.
Të zemërohesh për këtë arsye me Albinin, do të thotë të ëndërrosh që Albin Kurti të mbetet ai që ka qenë, një populist primitiv, kundër ndërhyrjes së NATO në Kosovë, kundër Rambujes, kundër shpalljes së pavarësisë, kundër UNMIK, kundër marrëveshjes NAtO-Kosovë për mbrojte të Kosovës, e gjithë marrëzitë që ka bërë gjithë jetën. Kjo mund të shërbej për ta bërë Albin Kurtin një udhëheqës qesharak, por nuk I vlen Kosovës. Kosovës I vlen një udhëheqës që mbyll Marrëveshjen me Serbinë, me njohje reciproke dhe deri atëherë duke zhbllokuar hap pas hapi gjithë problemet e ngrira.
Dje vërtet nuk ka ndodhur ndonjë gjë e re për Kosovën por ka ndodhur një gjë e re për Albinin dhe kjo nuk është pak. Njeriu që mbjell urrejtje ndaj bisedimeve me Serbinë dhe që ka akuzuar paraardhësit për tradhti, fiks për atë që dje kishte në tavolinë, është gëzuar që Vuçiq ja ka pranuar një pikë nga ajo marrëveshje e Hashim Thaçit. Shikojeni sa I gëzuar është ai dhe gjithë mbështetësit e tij, për të kuptuar se Kosova po ndryshon. Si mund ti zemërohesh për këtë gjë.
Lëreni njeriun të ndryshojë, lëreni ta kuptojë se vjen nga parapolitika dhe populizmi dhe po kupton se sa punë ka që të rikthehet një herë në vitin 2011, e pastaj të kap vitin 2019, kur u shpall fitimtar.
Serbët nga ana e tyre janë edhe më të gëzuar se Albini. Se ata po ashtu vijnë nga një mendësi primitive konflikti. Ata po gëzojnë që Albinit I kanë thënë po vetëm me gojë, pasi nuk ka pas nevojë me shkrim se Marrëveshja ka qenë. Ata po gëzojnë që serbët e Kosovës, mund të përdorin letërnjoftimet e Serbisë në kufirin e Kosovës, pa problem, duke unifikuar hapësirën Serbi Kosovë për llogari të tyre. Një fitore jo e vogël e tyre dhe kjo, por nuk ke çfarë bën. Në dialog do falësh që të të falin.
Tani nëse doni ta mërzisni Albinin I thoni që ke firmosur një pikë të “Ballkanit të hapur” , pasi “Lëvizja e lirë me letërnjoftime në kufi është një nga katër pikat e Ballkanit të Hapur. Por ky do ishte teprim t’ia prishje gëzimin e gënjeshtrave të reja që ka thënë këtë radhë kundër Shqipërisë tradhtare që lejon lëvizjen e lirë me Serbinë.
Kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhje është ti thoni Albinit, vazhdo rregullo punën e targave, sipas Marrëveshjes 2011, pasi një qytetar I Kosovës nuk kalon dot nga Kosova në Serbi me targa të Kosovës. Edhe kjo është e shkruar që më 2011 që duhet të rregullohet por serbët nuk bien dakord të zbatojnë. Diçka kanë pas inat me udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës, të cilët të kompleksuar nga akuzat për tradhti të Albinit, ishin më patriot se ky përball serbëve. Le të urojmë që Albini ka ndryshuar dhe të bëhet i pranueshëm për palën serbe, që ti thonë “po” qoftë dhe me gojë edhe për targat.
Nëse doni të jetoni në të shkuarën kujtojini Albinit të shkuarën. Por ajo nuk I bën më punë as Albinit. Ai po jep prova se do ta harrojë të shkuarën e vet dhe po merr përsipër të shkuarën e kundërshtarëve të vet. Marrëveshjet e tyre. Lëreni të ndryshojë qoftë dhe duke lëpirë atë që ka pështyrë. Në fund të fundit vuajtje për të është nuk është për ju.