Euro ka pësuar rënie drastike dhe pas 20 vitesh ka rënë më poshtë se dollari amerikan. Bazuar në kursin zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehet me 117 lekë, ndërsa 1 dollar këmbehet me 117.86 lekë.
Mesa duket, dollari po pëson rritje në tregun e këmbimit valutor vendas ndërsa monedha e përbashkët europiane ka arritur nivelin më të ulët historik ndërsa shënon vetëm rënie. Kjo do të sjellë çmim më të lartë për kompanitë dhe konsumatorët europianë që do të paguajnë më shumë për mallrat dhe shërbimet që importohen.
Luhatjet e Euros janë të ndikuara ndjeshëm edhe nga lufta në Ukrainë, pasi edhe në tregjet ndërkombëtare vlera e saj është e paqëndrueshme, ndërsa nga ana tjetër janë fuqizuar pozitat e dollarit i cili në muajin korrik arriti të këmbehej me 117 lekë aq sa dhe Euro.
Përse po dobësohet euro

Turizmi evidentohet si shkaku kryesor për këtë zhvlerësim të monedhës evropiane, pasi ka shumë prurje për shkak të hyrjeve të larta turistike, ndërsa nga ana tjetër ka më pak kërkesë për valutë. Ndikim në uljen e kërkesës për euro po jep edhe ngadalësimi i tregtisë, që në 3 muajt e fundit ka shfaqur shenja ngadalësimi.
Dobësimi i monedhës evropiane në raport me Lekun, në njërën anë ndihmon importuesit të cilët blejnë në euro dhe shesin në lekë, si dhe ata individë apo subjekte që kanë detyrime në euro dhe të ardhurat e tyre në lekë, dhe nga ana tjetër godet eksportuesit që blejnë me lekë e shesin me euro, të cilët për produktet që do të tregtojnë jashtë vendit do të fitojnë më pak si pasojë e këtij nënçmimi të monedhës evropiane.