Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e skuterave, motorëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit. Këtë e bëri me dije vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook. Përparim Rama theksoi se ndalimi bëhet në vendet ku ka shumë këmbësore që qarkullojnë.
Rregulli i ri do të hyjë në fuqi më 15 gusht, dhe përfshin të gjitha hapësirat publike ku ka këmbësorë.
“Kemi ndaluar qarkullimin e trotinetëve, biçikletave dhe gjithë mjeteve motorike elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit, në të cilat ka frekuencë të lartë të këmbësorëve. Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi prej të hënës, më 15 gusht 2022, deri në votimin dhe publikimin e rregullores në të cilën jemi duke punuar për të siguruar mbarëvajtjen e qarkullimit të këtyre mjeteve sa i përket sigurisë së qytetarëve të Prishtinës”, shkroi Rama.
Shtrenjtimi i naftës dhe benzinës thuhet se i ka detyruar shumë qytetarë në Prishtinë që të kërkojnë alternativa si skuterat e biçikletat.