Nga Ilir Meta/
Ka një përpjekje të Ilir Metës një javë pasi ka dalë nga zyra e presidentit, të kthehet në denoncues korrupsioni. Është gjë e mirë, qoftë dhe si hipokrizi, pasi krijon klimën që korrupsioni duhet ndëshkuar dhe SPAK, që merret me betejat antikorrupsion, ndjehet më i lirë të veprojë.
Por koinçidenca është e keqe dhe ngjan më shumë si presion mbi SPAK, se sa si ndihmë për SPAK. Ajo ka të bëjë me faktin që në SPAK është dorëzuar një dosje e rëndë për abuzime dhe “tagente” financiare në adresë të partisë së Ilir Metës, nga një pjesëtar i familjes së tyre, punësuar në një koncesion të qeverisë se Berishës, vazhduar më pas nga qeveria “Rama”.
Gazeta TemA mësoi se SPAK ka nisur hetimin e çështjes dhe faktet e provueshme lidhin në mënyrë të drejtëpërdrejtë, familjen Meta, LSI dhe dy biznesmenë që kontrollojnë këtë koncesion përmes LSI, me financimin e LSI.
Bëhet fjalë për koncesionin e SGS, i cili u dha nga qeveria “Berisha” dhe u mor nën kontroll nga LSI pas vitit 2013, duke emëruar aty një person kyç të familjes Meta.
Tani ky hetim ka hyrë në spirale serioze dhe e ka shumë të vështirë të bëjë hapa pas nga presioni i LSI. Ajo që po përpiqet të bëjë Ilir Meta, është që ta relativizojë goditjen e SPAK, duke shpikur përditë denoncime që duket se janë më shumë shantazhe në public, se sa denoncime të mirëfillta.
Ideja është që kur SPAK të veprojë ndaj denoncimeve në adresë të Ilir Metës, ai të numërojë sfilitat publike të “bletës punëtore” të LSI, që të mbrohet se po hetohet vetëm ai.
Nuk dua të shtyj këtu dyshimet e besueshme që zhurma antikorrupsion është fushatë gjobash ndaj atyre që u kanë dalë nga rreshti si klientë për vite të tëra. Edhe ato mund të bëhen objekt hetimi nga SPAK. Por ajo që është fakt dhe që mund të provohet, është se hetimi ndaj familjes Meta është nisur në SPAK dhe ai po përpiqet të shantazhojë SPAK dhe të relativizojë goditjet antikorrupsion.
Kjo është e vërteta e retorikës antikorrupsion të Ilir Metës, e cila është po kaq e korruptuar sa dhe historitë e korrupsionit të tij. Fakti që LSI u ngulit në mendje të shqiptarëve si pati hajdutësh, nuk qe faji i siglës, por i kryetarit dhe kryetares. Ata nuk ndryshojnë kurrë në atë parti, pavarësisht siglave. (Gazeta TEMA)