Fatos Çoçoli
“Thatësira aktuale është më e keqja e 500 viteve të fundit,” – deklaroi pardje Johannes Bahrke, zëdhënës i Komisionit Evropian (https://www.euronews.com/2022/08/23/europe-faces-its-worst-drought-in-five-centuries-says-report) .Qeveria e Bashkimit Evropian është e shqetësuar nga vështirësitë ekonomike që prodhon thatësira rekord për të 27 vendet e saj anëtare. Ulet rendimenti i kulturave bujqësore të stinës, ndërsa qytete dhe fshatra të shumtë të BE-së po hasin probleme me furnizimin me ujë dhe po bazohen tek shpërndarja me autobot. Ndërkohë, niveli i ulët i liqeneve dhe lumenjve, për shkak të mungesës së rreshjeve, po shkakton probleme serioze me transportin ujor. Po ne? Ne na intereson shumë moti këtej e tutje.
Sipas shkencëtarëve të Komisionit Evropian, moti pritet të mbetet i ngrohtë dhe më i thatë se zakonisht në rajonin e Mesdheut, deri në nëntor 2022. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se nuk do të kemi rreshje të rëndësishme deri në nëntor. Se bazenet e hidrocentraleve tona nuk do të jenë të mbushura deri në nëntor. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH), ka arritur të mirëmenaxhojë rezervën hidrike mbi Kaskadën e Drinit, edhe pse nga thatësira e dy javëve të para të gushtit 2022, niveli i ujit mbi liqenin e Fierzes ra në 278 metra, por sërisht shumë më lart pikës së prodhimit me prurjet natyrore të lumit Drin, e cila është 242 metra. Rreshjet e ditëve të para të gjysmës së dytë të gushtit, edhe pse ishin intensive në disa qytete, zgjatën shumë pak për të rritur prurjet e përrenjve mbi lumin Drin dhe kësisoj, edhe në Kaskadë. Megjithatë, KESH ka arritur të disiplinojë furnizimin me energji të OSHEE, duke e ulur nga 15 Gigavat që jepte në muajt e parë të vitit, në 5 Gigavat, për të kursyer dhe mbushur me ujë bazenet e liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Vendimi i Këshillit të Ministrave(VKM) nr. 620 i dhjetorit 2021(https://www.kryeministria.al/newsroom/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-9-dhjetor-2021/) i ka dhënë mundësi të dalë në tregun ndërkombëtar dhe të bëjë zgjedhjet e duhura për të blerë energji. Ndryshe nga sa sulmohet njëlloj si dhe simotra OSHEE më parë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare e ka mision të pamundur të regjistrohet në Bursën Ndërkombëtare të Energjisë së Budapestit, për të përfituar nga çmimet më të ulura që aplikohen atje. Në fakt, çmimet më të ulura janë si një mirazh, si të jesh në shkretërirë dhe të të duket nga larg një oaz me palma dhe i mbushur me ujë.
Nëse KESH anëtarësohet në Bursën e Budapestit, ka pesë mangësi dhe kosto shumë të mëdha. Së pari, duhet të ngrijë 60-70 milionë euro si garanci, në kohën kur paratë Buxhetit të Shtetit i duhen më shumë se kurrë tani, pak muaj përpara kiametit energjitik, për të blere energji. Së dyti, të gjithë energjinë që si e kuotuar(rregjistruar) në bursë, ti si kompani e blen me kontrata “futures”(pra, për javët, muajt, tremujorët apo për vitin e ardhshëm), ti duhet ta parapaguash. Pra, në rast se na duhen, të themi 500 mijë Megavat për muajt dhjetor 2022-shkurt 2023 dhe në Bursën e Budapestit e gjejmë me 380 euro Megavati, pra 160 euro më pak se çmimi i sotëm jashtë burse, do na duhet menjëherë të paguajmë 190 milionë euro dhe këto para t’i qajmë, në rast se, së treti, nuk sigurojmë mjetet e duhura të transmetimit, transportit të kësaj energjie, aty ku është prodhuesi dhe ku brokeri i Bursës së Budapestit na e ka gjetur furnizimin. Mjetet e duhura të transportit në këtë situatë janë shumë të vështira, gati të pamundura për t’u gjetur. Pra, “taksitë” për “pasagjerët” e siguruar nga Bursa e Budapestit, domethenë energjinë që brokeri i saj ta gjen me çmimin 160 euro më të lirë për tre muaj. Dhe në rast se, për shembull, brenda një jave që është kushti i kontratës në burse, ti si kompani apo shtet, nuk i ke gjetur “taksitë”(pikat e distribucionit të energjisë, aksesin për ta transmetuar këtë energji, etj.), pra nuk je në gjendje të sjellësh energjinë e kontraktuar në Shqipëri. Nga kjo, të 190 milionë eurot e tua të parapaguara të humbasin dhe kontrata i kalon një kompanie tjetër në bursë(këto kompani quhen “çakenjtë e bursës”), e cila e përfiton kontratën pa shpenzimet e transmetimit. Së katërti, kompanitë që pranohen në bursë duhet të kenë një bilanc pagesash(në gjuhën teknike “cashflow”) pozitiv në tre vitet e fundit të aktivitetit të tyre. Gjë të cilën KESH nuk e ka. Së pesti, sipas kontratës së kuotimit në Bursën e Budapestit(si në çdo bursë tjetër ndërkombëtare të energjisë), ti si kompani e rregjistruar në bursë, duhet të kesh të siguruar “rrjetin” tënd fiks të transmetimit të energjisë deri në Shqipëri.
Pra, të hapësh në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë filiale me të paktën pesë punonjës dhe me gjendje parash për aktivitet të sigurtë, që të mundësh ta transmetosh energjinë nga “dispeçeri” yt, nëse lidhet një kontratë në bursë. Kjo kërkon shpenzime shtesë dhe, nëse përfshijmë edhe pagesën e brokerit të bursës, energjia që do të blenim sot për tre muajt dhjetor 2022-shkurt 2023 në Bursën e Budapestit, na shkon nga 380 euro Megavati në 620 euro megavati, me të gjitha shpenzimet shtesë dhe ngrirjet e dhjetëra miliona eurove para të taksapaguesve shqiptarë! Për të mos folur për rrezikun e madh që marrim mbi supe, nëse e katranosim me rrjetin e transmetimit deri në Shqipëri. Prandaj dhe KESH është e detyruar të zgjedhë kontraktorë për blerjen e energjisë, jashtë bursave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, me këta kontraktorë, edhe pse çmimi në dukje është më i lartë, KESH u kalon të gjithë përgjegjësinë e transmetimit të energjisë deri në Shqipëri, me kostot përkatëse. Nëse kontraktori nuk e sjell energjinë në Shqipëri brënda kushteve të kontratës dhe në kohën e përcaktuar në kontratë, paratë që ai ka parapaguar për energjinë që do të shesë, i ngelen Shtetit Shqiptar. Por deri tani, në 50 blerjet e kryera nga KESH pas 1 janarit 2022 dhe mundësimit nga VKM nr. 620, për të dalë në tregun ndërkombëtar, kontraktorët kanë qenë seriozë dhe çdo kontratë është realizuar me korrektësi.
Nga ana tjetër, përballë cunamit energjitik që po afrohet, KESH po përpiqet të prodhojë energji edhe nga dielli, duke ndryshuar llojin e energjisë që prodhon. Ka instaluar panele diellore mbi digën e Qyrsaqit në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe prodhon mbi 5 Megavat/orë energji prej tyre. Sasi prodhimi e aftë të furnizojë rregullisht 1,900 familje me energjinë që ju nevojitet. Është një dallëndyshe e parë mbi qiej shumë të errët mbi ekonominë dhe shoqërinë tonë, për shkak të thatësirës së paparë tek ne dhe kudo në Evropë dhe botë. KESH po planifikon të investojë edhe mbi digën tjetër në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, të quajtur Zadej, për të prodhuar edhe 8 Megavat/orë të tjera. Në pamundësi për të rivënë në punë dinozaurët e shkatërruar tërësisht nga abuzimi me dekada i mëparshëm shtetëror, i TEC-ve të Kombinatit në Tiranë, të Fierit dhe të Korçës. Si dhe duke shpresuar fort, që nga marrëveshja me kompanitë amerikane, dy TEC-et lundruese (barxhet) të vijnë në Triport të Vlorës dhe të sigurojnë 114 Megavat/orët e energjisë, për të mos i lënë shqiptarët me ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike këtë dimër.