Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me vizitën e nesërme të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç në veri të vendit.
Gjatë një konference për shtyp, Kurti u shpreh se Brnabiç nuk duhet të japë deklarata përçarëse që mund të sjellin tensione dhe destabilizim.
“Shpresoj që edhe vizitat e zyrtarëve pas qarkullimit të lirë të qytetarëve do t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi, po ashtu pres që zonja Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishte për qëllim tensionimin dhe destabilizimin, kemi nevojë të përqendrohemi tek jeta më e mirë e qytetarëve”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç do të zhvillojë vizitë njëditore në Kosovë, ditën e hënë më 5 shtator. Ajo do të vizitojë Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviçin.
Së bashku me të, do të jenë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviç dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Dr. Mihailo Jovanoviç.