Zvicra ka gati një paketë të ashpër masash e sanksionesh ndaj të gjithë atyre që do të ngrohin ambientet e brendshme mbi nivelin 19 gradë celcius këtë dimër.
Daily Mail në një artikull për këtë çështje shkruan se nëse ky vend do të detyrohet të racinojë gazin për shkak të luftës në Ukrainë, qytetarët do të përballen me gjoba deri në 3 vite burg nëse abuzojnë me rregullat e vendosura për kursimin e energjisë.
Duke cituar Markus Sporndli, një zëdhënës të Departamentit Federal të Financave, tabloidi shkruan se shkalla e gjobave ditore mund të fillojë nga 30 deri në 3,000 franga zvicerane.
Edhe kompanitë që qëllimisht tejkalojnë kuotat e tyre të gazit mund të përballen me ndëshkim.
Sipas masave të mundshme, temperaturat në ndërtesat me ngrohje me gaz nuk mund të jenë më shumë se 19C, me ujë të ngrohur deri në 60C.
Po ashtu, këtë dimër nuk do të lejohen saunat dhe pishinat e mbyllura.
Masat janë të përcaktuara në Ligjin Federal për Furnizimin Ekonomik Kombëtar, të cilit i referohet Departamenti Federal i Çështjeve Ekonomike (EAER) në një dokument zyrtar.
Lidhur me masat e reja të mundshme, kantonet e Zvicrës kanë afat deri më 22 shtator për të paraqitur çdo shqetësim.