Moratoriumi i gjuetisë ka ndikuar në rritjen e numrit të specieve në rrezik. Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot pamje nga kamerat kurth, të cilat kanë kapur imazhe të kafshëve në rrezik, por edhe shpendëve. Rama shkruan se falë moratoriumit është rikthyer normaliteti në habitatet natyrore, ndërsa është rritur numri i vizitorëve në zonat e mbrojtura, të cilat tashmë janë kthyer atraksione për turistët vendas e ata të huaj. Gjatë këtij viti, deri në muajin korrik, zonat e mbrojtura janë vizituar nga mbi 2.1 milionë vizitorë.

“Mirëmëngjesi dhe me imazhet fantastike që na vijnë prej kamerave kurth në zonat e mbrojtura, ku jo vetëm kemi shtim të numrit të specieve falë moratoriumit të gjuetisë duke rikthyer normalitetin në habitatet natyrore, por edhe atraksione krejt unike siç janë zonat e mbrojtura me një rritje të ndjeshme të vizitorëve, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama.

Krahas videos, kryeministri ka publikuar edhe shifrat, sipas së cilave, falë maratoriumit, shpendët e egër nga 60 mijë që kanë qenë në vitin 2016, kanë shkuar në 140 mijë individë. Ndërkohë, rreth 50% më shumë specie të shpendëve ujorë janë numëruar në vitin 2021 krahasuar me censusuin e vitit 2016. Sakaq, numri i ligatinave është rritur nga 16 në vitin 2016, në 29 në vitin 2020.
“Llojet e faunës së egër jetojnë të qetë në habitatet e tyre falë moratoriumit të gjuetisë. Efektet e tij kanë qenë pozitive, veçanërisht tek shpendët e egër. Në censusin e viti 2016 janë konstatuar rreth 60 mijë shpendë të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar. Në vitin 2021 u numëruan 140 mijë individë të tillë. Rreth 50% më shumë specie të shpendëve ujorë janë numëruar në vitin 2021 krahasuar me censusuin e vitit 2016. Numri i ligatinave është rritur nga 16 në vitin 2016, në 29 në vitin 2020. Gjatë këtij viti, deri në korrik, mbi 2.1 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura. Është vërejtur edhe një ndërgjegjësim i popullatës falë një komunikimi të shtuar nga ekspertët dhe ambientalistët. Zgjatja e moratoriumit deri në vitin 2025 ka si qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër”, shkruhet në video.

Moratoriumi i gjuetisë është zgjatur deri në vitin 2025, duke ndaluar kështu gjuetinë e faunës së egër në të gjithë vendin.