Nga sot nisin aplikimet për mbështetjen e prodhuesve të grurit në vend.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale drejtuar u shpreh se, “është e pazakontë të kryhen dy thirrje për aplikime nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural brenda një viti buxhetor. Por qeveria vendosi në Mars e në Korrik të shtojë buxhetin fillestar në mbështetje të fermerëve me 1,7 miliardë lekë”.

Krifca theksoi se, “ky ka qenë një vit i pazakontë, me sfida të mëdha globale që edhe tek ne janë përkthyer në vështirësi të ndryshme në zinxhirin prodhues e përpunues. Nga çmimet e paparashikueshme, vështirësi, logjistike, transporti, etj”.

Ajo shprehet se falë dedikimit të fermerëve, bashkëpunëtorëve të tyre dhe mbështetjes, “kemi pasur një ecuri pozitive në prodhim dhe eksporte ku deri në fund të Korrikut llogariten mbi 20% më shumë eksporte në vlerë e në sasi krahasuar me një vit më parë.

“Kemi mbështetur më shumë se 35,000 fermerë deri tani e deri në fund të vitit llogariten rreth 50,000 fermerë që përmes naftës, grurit, apo masave të tjera të drejtpërdrejta do të preken nga skema”, u shpreh ministrja.

“Edhe pse jemi të vetëdijshëm që skema nuk do ti kënaqë dot të gjithë, e vërteta është se ky vit ka ofruar shifrën me herë më të lartë, në numër përfituesish apo fondesh dhënë ndonjëherë, në një periudhë prej tetë muajsh, brenda një viti buxhetor. E gjithë kjo punë është kryer nga e njëjta administratë e cila ka bërë një punë të madhe për të orientuar, mbështetur dhe mundësuar shërbim. Por ju këtë e dini, sepse jetoni në komunitete dhe e kuptoni diferencën mjaft mirë. Dini gjithashtu të dalloni gënjeshtrat dhe politikën e zhurmës që tentohet të bëhet në emrin tuaj”, shtoi Krifca.

Sa i përket grurit, krifca u shpreh se, “ndërsa kemi patur një vit të mbarë në prodhim e në çmime, kemi punuar fort të afrojmë tregtarët drejt prodhimit vendas, kemi ndërmarre masa për ta shtuar sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë për shkak të pasigurisë së tregjeve ndërkombëtare ku historikisht jemi furnizuar për rreth gjysmën e nevojave të vendit”.

“Kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi 1 ha, që janë edhe prodhuesit kryesore për shitje në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30,000 mije leke për ha. Me këtë mbështetje për sipërfaqe, garantojmë pagesën brenda këtij viti për secilin fermer dhe pagesa brenda vitit, ka qenë qëllim kryesor. Sipërfaqja prej 1 ha nuk kërkohet të jetë në një parcelë të vetme, as në parcela që formojnë një bllok”, u shpreh më tej Krifca.

Krifca më tej sqaroi edhe mënyrat e aplikimit.

“Aplikimi për masën mbështetëse të grurit nga data 1 deri 23 shtator kryhet on-line nëpërmjet portalit e-Albania. Secili fermer mund të realizojë këtë aplikim në mënyrë individuale nga çdo kompjuter me lidhje interneti. Megjithatë për të siguruar asistencën e nevojshme, Ministria ka angazhuar një rrjet zyrash aplikimi (20 Agropika dhe 35 zyra bujqësie pranë AREB-eve, pra 55 zyra gjithsej me rreth 113 specialistë bujqësie), të mjaftueshme për realizimin normal të procesit Siç kryejmë aplikimet për mbështetje suksesshëm nga 2018 e këtej, e ku e kemi rritur qasjen në aplikime 10 fish më shumë”, theksoi Krifca.

Krifca nënvizoi se, “mbështetja për grurin nuk bazohet në parimin ‘kush vjen i pari paguhet i pari’ por në rast pamjaftueshmërie buxheti, në renditjen sipas sipërfaqes. Një nga kriteret e përfitimit për masën mbështetëse të grurit është qe toka të jetë në pronësi ose në përdorim (qira, huapërdorje, etj)”.

Për të shmangur spekulimet në lidhje me kriteret mbi pronësinë apo qiranë Krifca sqaroi se, “për tokat në pronësi dokumentet që duhen janë: Certifikatë pronësie; Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Nuk kërkohet kontratë noteriale. Kërkohet një dokument i nënshkruar mes palëve (pra midis qiramarrësit dhe qiradhënësit). Për të shmangur kostot nuk kërkohet noterizim, por thjesht një konfirmim nga Njësia Administrative përkatëse. Kjo bëhet Falas!. Nënshkrimi i palëve është i domosdoshëm, për të shmangur raste abuzimi. Pra, ky dokumentim eliminon përfitimet e padrejta dhe garanton integritetin e procesit”.

Krifca shtoi se, “duhet të paraqiten fatura fiskale për blerjen e farave ose produkteve plehëruese. Fatura për farën është vendosur si kriter për t’u garantuar që fara e mbjellë nga fermeri është e certifikuar dhe në këtë mënyrë ka cilësitë dhe kapacitetin e duhur prodhues dhe ofron gjurmueshmëri për strukturat tona. Faturat do të kërkohen gjatë kontrollit fizik të sipërfaqes në parcelë për çdo aplikant përfitues”.

Krifca u bëri thirrje fermerëve të kujdesen që gjithnjë të marrin informacion nga burime zyrtare të institucionit.

“Kemi vënë numrin pa pagesë në dispozicion 08008383 për çdo paqartësi apo nevojë për informacion. Gjithashtu mund të shkruani në info@bujqësia.gov.al. Ne jemi së bashku me ju në këtë proces për mbarëvajtjen e duhur të aplikimeve, për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit shqiptar”, theksoi Krifca.