Kryeministri Edi Rama publikoi pasditen e sotme një pjesë nga fjala e mbajtur dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku u ndal tek çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet mes tyre.
Rama në fjalën e tij theksoi se, “asgjë nuk e ndryshon pozicionin e Shqipërisë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe është koha që ngërçi i dialogut të kapërcehet me kurajo, nga të dyja palët, për arritjen e një marrëveshjeje vendimtare të mbështetur nga BE/SHBA”.
Rama tha se, “mesazhi më i mirë i Ballkanit të Hapur që dua të ndaj me ju sot është që nuk është e nevojshme të biesh dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët e për të ndërtuar, hap pas hapi, një të ardhme të ndritshme, duke u marrë me mosmarrëveshjet në një mënyrë gjithmonë e më të hirshme e duke gjetur gjithmonë e më tepër arsye, ato të mira, për të zgjidhur edhe mosmarrëveshjet”.
“Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe duke ecur përpara për të nxitur bashkëpunimin dypalësh e rajonal, Shqipëria as nuk ka lëvizur e nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të nevojës për çdo vend, edhe mes jush që nuk e ka bërë këtë gjë, përfshirë dhe Serbinë, që të njohë Republikën e Kosovës”, u shpreh Rama.
“Thënë këtë, është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithpërfshirëse paqeje, duke bërë rolin e tyre përkatës për të miratuar një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.