Përmeti është një nga destinacionet e preferuar me një numër në rritje të turistëve vendas e të huaj, falë traditës së mikpritjes, kulinarisë e bazuar në produktet e zonës e prodhimeve artizanale të grave përmetare dhe Rilindjes Urbane.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ndryshimet që sollën investimet e kryera në kuadër të Programit të Rilindjes Urbane.
Rama shprehet se në Përmetin që rritet çdo vit si destinacion turistik, faza e dytë e Rilindjes Urbane është drejt fundit.
Peisazhi mahnitës, kultura, trashëgimia dhe tradita, tashmë ofrojnë një ofertë turistike me një potencial fantastik.
Rritja e numrit të vizitorëve ka shtuar edhe të ardhurat që gjenerohen nga turizmi, ndërsa kthimi i Përmetit në një pikë të fuqishme tërheqëse të turistëve ka bërë që të hapen 25 njësi të reja akomoduese.
Në kuadër të këtij programi janë zbatuar 4 projekte me vlerë 1.53 milionë euro, ku më i rëndësishmi është ai për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, fasadave dhe ndriçimit në parkun qendror ku prej dekadash nuk ishte vënë dorë në infrastrukturën urbane.
Gjithashtu u mundësua krijimi i zonave rekreative, përmirësimi i ndriçimit dhe rikonstruksioni i rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike, i shtëpisë së kulturës dhe rikonstruksionin e fasadave.
Rijetësimi i bllokut të banimit ndërmjet rrugëve “Tefta Tashko Koço”, “Elena Gjika” dhe “Vasil Papadhopuli”, në Përmet është një tjetër projekt i rilindjes urbane të qytetit.
Investimi prej 60 milion lekësh, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 mijë metrash katrorë dhe konsiderohet si një vazhdim i projektit të qendrës së qytetit pasi krijon një lidhje midis qendrës dhe lagjes më të vjetër të qytetit. Nëpërmjet një korridori shtruar me kalldrëm u realizua një segment i rëndësishëm i unazës së qendrës së qytetit.
Në kuadër të zbatimit të këtij projekti u mundësua trajtimi dhe riformulimi i hapësirave ekzistuese publike me elementë të mobilimit urban me qëllim integrimin e zonës së vjetër të qytetit me qendrën si destination gjithëvjetor turistik.