Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se deri në fund të muajit korrik janë regjistruar një flotë prej 3,064 mjete GREEN (Plug-in elektrik dhe Hybrid) ose 3,044 Mjete GREEN më shumë se sa flota e vitit 2012 kur ishin vetëm 20 të tilla.
Në njoftimin për shtyp, DPSHTRR thekson se edhe 347 mjete 100% elektrike u regjistruan për herë të parë në 7-mujorin janar-korrik 2022.
Për incentivimin dhe nxitjen drejt rritjes së flotës green nga akti normativ ndërmarrë nga MIE me propozimin e DPSHTRR, nga 7 Nëntori 2019, DPSHTRR rimburson çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për Mjetet Elektrike & Plug-in.
Sipas këtij akti ligjor, janë zeruar tarifa e kontrollit fizik 1,500 lekë, leje qarkullimi kombëtare 2,100 lekë si dhe targat 3,000 lekë.
Në total tarifa prej 5,600 lekë (para qershorit 2022 ishte 7,500 Lekë) për çdo mjet GREEN mbulohet nga DPSHTRR.
Gjithashtu, mjetet green u përjashtuan nga pagesa e TVSH-së.
DPSHTRR thekson se këto iniciativa përkthehen në shifra konkrete kursimi për qytetarët apo subjektet që importuan dhe regjistruan Mjetet Green nga Tetori 2019 deri në Korrik të vitit 2022.
Nga regjistrimi me tarifa zero dhe nga heqja e TVSH-së janë kursyer 588 milionë lekë.