Inflacioni i çmimeve të konsumit në Gjermani ka shënuar një nivel rekord në muajin shtator, pas rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis).
Inflacioni i çmimeve të konsumit u përshpejtua në 10,0% në shtator krahasuar me 7,9% në gusht.
Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm me 43,9% krahasuar me vitin e kaluar si rezultat i luftës në Ukrainë dhe pengesave të furnizimit.
Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve u rritën me 18,7%. Pa përfshirë energjinë dhe ushqimin, inflacioni ishte 4,6%.
Kostoja e transportit regjistroi një rritje dyshifrore prej 14,0% në shtator, pas një rritjeje prej 3,7% në gusht. Çmimet e mallrave u rritën me 17,2% në terma vjetore, dhe ato të shërbimeve në tërësi u rritën me 3,6%.
Inflacioni i harmonizuar me BE-në u rrit ndjeshëm në 10,9%, në përputhje me vlerësimin, nga 8,8% në muajin e kaluar.
“Në terma mujore, çmimet e konsumit u rritën me 1,9%”, raportoi Destatis.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 2,2% pas rritjes me 0,4% në muajin gusht. Shifra përfundimtare përputhej me vlerësimin paraprak të publikuar më 29 shtator.