Nga Dritan Hila/

Në rubrikën “Komenti i Ditës” nga Dritan Hila në Dritare Tv u diskutua për një nga ngjarjet më të përfolura të këtyre ditëve, rikthimin e pedagogëve sërish në protestë dhe refuzimin për të marrë pjesë në auditore nëse kushtet nuk plotësohen. Hila analizoi shkaqet pse kjo protestë nuk po mbështetet nga askush, madje dhe nga disa vetë pedagogë dhe çfarë nuk shkonte me të për të humbur dhe mbështetjen e popullit.

“Kjo protestë nuk ka jehonë. Pse? Së pari, pedagogët kërkojnë rritjen e pagave. Rritja e pagave në një sistem ku shumica janë universitete privatë është pak e vështirë, është njësoj si të kërkosh fruta-perime në një dyqan buke. Së dyti, kemi të bëjmë me cilësinë që këta pedagogë prodhojnë. Kemi parë që shumica e pedagogëve nuk është se kanë ndonjë produkt. Universitetet tona, përjashto Universitetin Politeknik të Tiranës, i cili nxjerr një produkt që i duhet vendit, universitetet e tjera nxjerrin me shumicë juristë apo dhe Shkenca Sociale, një produkt i cili nuk është se ka treg në Shqipëri.

Produkti i Shkencave Sociale është një produkt që në të ardhmen mund të prodhojë studime mbi shoqërinë shqiptare, mbi atë që kërkohet për zhvillimin e saj në të ardhmen, por nuk ka treg në Shqipëri. Aq më pak kanë juristët. Gjithashtu kemi të bëjmë me një produkt të dobët. Universiteti i Tiranës, më i miri që ne kemi, as futet fare në radhitjen e universiteteve botërore. Me një universitet në Shqipëri, nuk ke shans të hash bukë jashtë. Çuarja e fëmijëve në këto universitete është thjesht një inerci. Ka fjalë, që nuk është se nuk janë të vërteta, që pedagogët marrin para. Në momentin që ti i kërkon para për një provim, mos i kërko të bëhet pjesë e protestës tënde për të kërkuar më shumë para. Nuk i kuptoj as studentët që duan ta marrin provimin me para, se tregon që nujkk janë gati për tregun e punës.

Pra këta pëdagogë nuk kanë pse presin që studentët t’u vijnë në ndihmë. Gjithashtu pedagogët tanë nuk është se kanë shkëlqyer në fushën e partneritetit ndërkombëtar, nuk kanë fituar çmime prestigjoze. Pavarësisht se kërkojnë fonde për kërkimin shkencor, mua më duket se deri tani nuk e kanë justifikuar veten. Të kërkosh para pa e ditur nëse ky studim që do bësh, është i vlefshëm apo jo për tregun shqiptar, kjo është një gjë që qeveria nuk mund ta marrë me mend dhe të hedhë para qorrazi.

Një pjesë e madhe e drejtuesve të kësaj proteste janë njerëz të agazhuar me PD, njerëz që kanë qenë pjesë aktive e Foltores, ose janë njerëz që kanë qenë pjesë e organeve të represionit të PD. Nuk është problem se ti mbështet një parti politike, s’ka asgjë të keqe, por kur ti mbështet një lëvizje që e udhëheq një njeri i cili është i shpallur non-grata nga SHBA qeveria ka të drejtën e saj të mohojë përkrahjen sepse ka argumentin politik. Nuk ka pse t’i japë krahë një fraksioni pedagogësh që po përdoren politikisht dhe njëkohësisht është e justifikuar edhe përballë ndërkombëtarëve”, tha Hila.