Nga Namir Lapardhaja/

Shoh disa deputetë të PD-së se si e përdorin të shkuarën e tyre për t’u vetëviktimizuar dhe kur është puna për të mbajtur qëndrime në favor të kauzës së tyre struken si minjtë e gjirizeve, duke sulmuar të ngjashmit e tyre dhe duke marrë anën e më të fortëve, ish-komunistëve të konvertuar në demokratë, por që nuk kanë lënë asnjë prej veseve të diktaturës dhe të diktatorëve. Që të merremi vesh, unë nuk e kam përdorur asnjëherë të shkuarën time dhe të familjes sime për të ndërtuar një fabul për veten, për të favorizuar veten politikisht, për t’u identifikuar si pjesë e një shtrese të caktuar apo, më keq akoma, për të marrë keqardhjen e tyre, si pasojë edhe votëbesimin e tyre, siç mund të bëjnë disa.

Edhe pse unë kam lindur në internim dhe jam kthyer në Berat vetëm pasi regjimi ra; im atë, Hiqmeti, është privuar nga vazhdimi i studimeve të larta për arsye biografike, ndonëse ishte nxënës i shkëlqyer; është hequr nga puna si arsimtar vetëm 21 vjeç dhe është rikthyer vetëm pas rënies së regjimit komunist; gjyshi im nga babai, Taulla bej Lapardhaja, është shpronësua dhe internuar, ndërsa gjyshi im nga mamaja, Medi Velçani, është dënuar për agjitacion dhe propagandë dhe ka vuajtur për vite të tëra në burgjet e diktaturës komuniste; daja i babait tim, Jakup Shalësi, është pushkatuar si komandant i Ballit Kombëtar, ndërsa djali i hallës së tim ati, Namik Mehqemeja, është pushkatuar nga komunistët vetëm 22 vjeç, po ashtu edhe dajallarët e mamasë, disa vdekur burgjeve, Sabri Qama, dhe të tjerë, Elmazi, me vite nëpër burgjet e diktaturës… e kështu me radhë pjesëtarë të tjerë të fisit dhe farefisit…

Pavarësisht të gjithave, unë kurrë nuk i kam përmendur këto si mburojë apo për të tërhequr vëmendjen apo keqardhjen e njerëzve, apo, më keq akoma, për të përfituar politikisht, me qëllimin se unë duhet të jem në politikë se jam pasardhës i kësaj shtrese dhe i këtyre njerëzve. Jo vetëm kaq, por në zgjedhjet e fundit për kryetar të PD-së kam mbështetur hapur dhe pa asnjë dilemë një kandidat që vinte nga shtresa e të përndjekurve politikë, duke dalë kështu “kundër” vijës së partisë, edhe pse me këtë fitova armiqësinë e një deputeti në Berat, i cili vinte po nga e njëjta shtresë, mirëpo mendonte se ishte vetëm ai që duhet të bënte përpara në PD nëpërmjet kësaj kauze dhe askush tjetër.

Sepse unë mendoj dhe e kam bindje se njeriu nuk duhet të bëjë përpara me të kaluarën e tij apo me atë që të tjerët kanë bërë dhe kanë hequr mbi kurrizin e tyre. Njeriu duhet të bëjë para në politikë nëpërmjet ideve dhe qëndrimeve të tij. Janë aktet dhe qëndrimet ato që na bëjnë të virtytshëm dhe tregojnë dinjitet. Në të kundërtën, të fshehurit si skuth, të mos përballuarit dhe të mos mbajtjes së një qëndrimi dinjitoz dhe kurajoz, jo vetëm që tregon se çfarë je, por, mbi të gjitha ofendon edhe nderin dhe vuajtjen e të parëve të tu.

Pse ju mendoni se paraardhësit tanë që vuajtën nuk e kishin mundësinë të zgjidhnin mes të qenit ballistë dhe të qenit komunist; mes të qenit anëtar partie dhe të mos pasjes së triskave të fronit; mes të qenit spiunë dhe të qenit të dinjitetshëm; mes të jetuarit mbi shpinën e krusur nga puna në kanal dhe kooperativë, por me kokën dhe ballin lartë, dhe të zvariturit pas pushtetit dhe të turpëruarit të nderit…?!

Zgjodhën të jetojnë me dinjitet, jo të zvarriten si puna Juaj! Jeni thjesht vemje të neveritshme në përdorimin e vuajtjes së paraardhësve Tuaj!