Fasha 800 kWh për çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë, nuk do të aplikohet as në muajin nëntor. Lajmi është bërë me dije nga kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili në një deklaratë për mediat tha se qeveria ka vendosur që ta shtyjë fashën, si edhe ka njoftuar për këtë vendim edhe Entin Rregullator. Ndonëse moti nuk ka qenë në favor të situatës hidrike në vendin tonë, Balla tha se fasha u shty pasi ka pasur një mirëmenaxhim të situatës energjetike, si edhe një ndërgjegjësim të qytetarëve të cilët kanë kursyer energjinë.

“Shtyrjen edhe për muajin nëntor, edhe pse shi s’ka pasur asnjë pikë, qeveria ka vendosur se për shkak të mirëadministrimit dhe ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë që kanë dhënë efektet e para të uljes së shpenzimet të energjisë. Jemi ndër vendet e vetme, ku qeveria vazhdon të subvencionojë 80% të faturës. Nuk është e vërtetë. Është një opsion, por qeveria ka njoftuar në kohë Entin Rregullator se nuk do aplikohet”, tha Balla.

Nëse do të vendoset çmimi i ri familjarët që kalojnë fashën 800 kilovat do të paguanin 42 lekë kilovatin. Ndërkohë, çmimi për kilovat nën fashën 800 kw do të vijojë të jetë 9.5 lekë kilovati. Nga kjo masë e marrë për kursimin e energjisë nuk do të preket biznesi i vogël, i cili do të vijojë ta paguajë energjinë me çmimin aktual 9.5 lekë kilovat, fasha mbrojtëse.

Faturimi i energjisë elektrike me fasha do të aplikohej në nisje të muajit tetor, por kryeministri Edi Rama lajmëroi shtyrjen e këtij vendimi, duke qenë se në tetor u konsumua 5% më pak energji se vjet. Po ashtu, kreu i qeverisë ka thënë se së shpejti do të aplikohet një taksë e jashtëzakonshme për tre hidrocentralet më të mëdha private, që nuk ia shesin energjinë KESH-it, por e shesin në tregun ndërkombëtar, me çmime gjashtë deri shtatë herë më të larta, nga sa e shisnin deri në gusht 2021.